Site icon Telegrafi

Restaurohet kulla historike e Fazli Boqollit në Raushiq

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka vizituar kullën e familjes së Fazli Boqollit në Raushiq. Gjatë kësaj vizite, ka parë nga afër punimet që po bëhen në këtë kullë, investim i MKRS-së.

“Në odën e kësaj kulle atëkohë janë pajtuar shumë gjaqe. Po ashtu, ka qenë edhe si shkollë shqipe në kohën e sistemit paralel në Kosovë. Gjithashtu, ka shërbyer edhe në punimin dhe riparimin e armëve në kohën e rezistencës çlirimtare për nevojat e UÇK-së”, ka thënë drejtoresha për Trashëgimi Kulturore në Pejë, Shpresa Gjonbalaj.

Kulla përmban karakteristikat e objekteve fortifikuese familjare, e që janë tipike edhe për ndërtimin e tipit të njëjtë në Rrafshin e Dukagjinit. Si ndërtim u realizua në gjysmën e dytë të shek. XVIII-të.

Monumenti disa herë ka pësuar djegie, fillimisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është djegur e mandej është rinovuar pa humbur elementet bazë të kullës. Edhe gjatë luftës së fundit 1998-99 kulla u dogj, duke lënë vetëm muret të cilat në mungesë të intervenimit po rrënohen vazhdimisht. Për këtë arsye MKRS-ja për shkak të të vlerave saja si në aspektin arkitektonik, historik, shoqëror e shpirtëror e ka vlerësuar që sa më parë të intervenojë në këtë monument. /Telegrafi/

Exit mobile version