Telegrafi

Restaurohet filmi ‘Mësonjëtorja’, prodhimi artistik i bën homazh rezistencës kombëtare për gjuhën shqipe

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në Shqipëri ka restauruar filmin “Mësonjëtorja”, prodhim i vitit 1979, me regji të Muharrem Fejzos, skenar nga Natasha Lako dhe muzikë nga Limos Dizdari.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një pjesë nga filmi ku shkruan se i bën homazh rezistencës kombëtare për gjuhën tonë amtare.

‘Mirëmëngjes dhe me “Mësonjëtoren”, filmin që i bën homazh rezistencës kombëtare për gjuhën tonë amtare, i cili ka rilindur falë restaurimit, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan Rama në Facebook.

Dafina, e interpretuar nga Roza Anagnosti, një grua e re e shkolluar kthehet në qytetin e saj, për të hapur shkollën e parë për vajzat. Ajo ndeshet me pengesat dhe intrigat e thurura nga kreu i Sanxhakut.

Për të ndaluar përpjekjet e Dafines, për ngritjen e shkollës, klerikët përpiqen të eliminojnë njerëzit që i vinin në ndihmë mësueses së re. Ata çkishërojnë dhe tentojnë të helmojnë xhaxhanë e saj, Stefan Bardhin si dhe i vënë flakën shkollës.

Filmi është një realizim-homazh për Rilindjen Kombëtare dhe përpjekjet e Rilindasve për përhapjen e gjuhës shqipe. /Telegrafi/