Telegrafi

Restaurimi i Kishës së Ristozit nxjerr në dritë mbishkrimin e vitit të ndërtimit

Kisha e Ristozit është monument i trashëgimisë kulturore shqiptare në fshatin Mborje të Korçës.

Mbishkrimi në portën hyrëse të kësaj kishe i nxjerr në pah pas restaurimit, tregon edhe datën e saktë të ndërtimit të saj. Bëhet fjalë për datën 13 nëntor 1389.

“U ngrit (ndërtua) që nga themeli me përpjekje dhe mundim ky tempull hyjnor e i gjithënderuar i zotit tonë Jezu Krisht Jetëdhënës dhe u pikturua prej piktorit Peshkopit të gjithëhirshëm zotit Nimfon, në kohën e zotërimit tê Amiralit, vëllezërit e gjithëlumtur Sebastokratorë Jani dhe i gjithëlarti Despot Zoti Theodhori viti 6898 (=1389) Nëntor 13”, shkruan aty.