Site icon Telegrafi

“Reshjet më të mëdha ndonjëherë” kanë lënë të vdekur 21 persona në Republikën Dominikane

Të paktën 21 persona, përfshirë edhe fëmijë, kanë vdekur gjatë fundjavës në Republikën Dominikane si pasojë e reshjeve të dendura.

Mediat raportojnë se stuhitë e rrëmbyeshme gjatë 48 orëve të fundit, kanë shkaktuar edhe përmbytje, duke dëmtuar infrastrukturën e vendit dhe duke lënë pa energji elektrike e ujë të pijshëm shumë zona.

“Ata që nuk besojnë në ndryshimet klimatike, tani fillojnë të besojnë”, tha presidenti dominikan Luis Abinader.

Ndryshe, qytetarët u paralajmëruan nga ambasada e Shteteve të Bashkuara, se reshjet pritet të vazhdojnë edhe në pjesë të tjera të vendit.

Si pasojë e motit të ligë, ka ndodhur edhe një incident vdekjeprurës, ku pas shembjes së një muri në kryeqytetin Santo Domingo, mbetën të vdekur 9 persona, përcjell Telegrafi.

Vdekjet e tjera kanë ndodhur nga përmbytjet.

Përveç dëmeve njerëzore e materiale, edhe mësimi në shkolla është ndërprerë.

Sipas Qendrës së Operacioneve Emergjente, deri më tash janë evakuuar 13,000 qytetarë. /Telegrafi/

Exit mobile version