Site icon Telegrafi

Reshjet e shiut, KRU “Hidrodrini” ngrit shkallën e gatishmërisë në rajonin e Dukagjinit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Hidrodrini’, e cila mbulon rajonin e Dukagjinit, ka ngritur shkallën e gatishmërisë dhe mobilitetit pas reshjeve atmosferike që kanë filluar të hënën mbrëma.

Sipas njoftimit, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Lulzim Pupovci në koordinim me kabinetin e zv/ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Getoar Mjeku ka nxjerrë vendim për ngritjen e shkallës së gatishmërisë së ekipeve prevenuese dhe të kontrollit në terren, duke ofruar mbështetjen e plotë në rast të paraqitjes së nevojës edhe nga rajoni.

“Kimistja, Drejtori teknik, menaxherët e njësive respektive te zonës së mbulueshmërisë të KRU “Hidrodrini” sh.a. Pejë, obligohen të ngrisin shkallën e gatishmërisë prevenuese në terren”, thuhet në njoftimin për media.

Tutje, KRU “Hidrodrini” thotë se obligative është përcjellja e situatës dhe gjendjes me kapacitete të shtuara për sa i përket cilësisë dhe kualitetit të ujit në të gjitha burimet si dhe në rrjetin e ujësjellësit në komunat Pejë, Deçan, Istog, Klinë dhe Junik. /Telegrafi/

Exit mobile version