Stuhi me reshje të forta të rrëmbyeshme, bubullima, erë të fortë dhe breshër ka kapluar sot pasdite pjesën qendrore të Pellagonisë.
Siç informon Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), para një orë ka pasur reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima në rajonin e Ohrit, Shën Nikollës dhe Strumicës.
“Proceset nuk kanë një drejtim të caktuar lëvizjeje. Në veri të Shkupit kanë filluar të krijohen vranësira të paqëndrueshme”, njofton QMK.
Drejtoria për Punë Hidro-Meteorologjike (DPHM) bën me dije se dita e sotme ka qenë shumë e nxehtë dhe me nivel portokalli për rrezik nga temperaturat e larta.
Gjithashtu njoftuan se pasdite dhe në mbrëmje moti do të jetë i paqëndrueshëm në shumë vende me reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima. Lokalisht do të ketë stuhi me reshje të forta shiu, erë të fortë dhe breshër.