Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit ka pasur reshje të dendura bore në disa akse rrugore në Shqipëri.
Reshjet e borës kanë rënë në Bilisht-Kapshticë, Qafë Qarri-Ersekë, në Dardhë, në Voskopojë, Zëmblak-Dogana Goricë, Pukë-Fushë Arrëz, Qafë Mali-Kukës dhe në Valbonë.
Temperaturat gjatë natës kanë arritur deri në -3 gradë Celsius.
Sipas ARRSH, mjetet borëpastruese kanë punuar për pastrimin e borës dhe shpërndarjen e kripës dhe qarkullimi është duke vijuar pa probleme në të gjitha akset nacionale.
Drejtuesit e mjeteve duhet të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet e mësipërme që janë me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore. /Telegrafi/