Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka mbajtur takim me përfaqësuesit e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), për të diskutuar rreth fazës së parë të projektit për Zhvillimin e Kapaciteteve për Kontrollin e Ndotjes së Ajrit.
Ministrja Reshitaj theksoi se rezultatet preliminare mbi ndotësit kryesorë në Kosovë do të jenë gati në tetor të këtij viti, pas studimit të hollësishëm një vjeçar nga ekspertët japonez.
“Projekti që po realizohet në bashkëpunim me JICA-n japoneze në fushën e mjedisit e posaçërisht në zvogëlimin e ndotjes së ajrit është shumë i rëndësishëm për shtetin e Kosovës, pasi që fusha e mjedisit mbetet ende problematike. Prandaj, me anë të këtij projekti katër milionësh, ne do të listojmë emetuesit e mëdhenj të gazrave dhe në këtë mënyrë do të dizajnojmë politikat zhvillimore për kontrollimin e ndotjes së ajrit”, tha ministrja Reshitaj.
Kreu i MMPH-së, deklaroi se në fund të këtij projekti do të ketë një plan të qëndrueshëm dhe efikas të monitorimit të ndotjes së ajrit.
Ndërsa përfaqësuesi i JICA-s, Yamanda Taizo, falënderoi Ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, për bashkëpunimin e deri tanishëm në implementimin e projektit për kontrollin e ndotjes së ajrit.
“Projekti ka për qëllim që të zhvillojë kapacitetet e palës kosovare për trajtimin e ndotjes së ajrit. Ky projekt ka filluar vitin e kaluar dhe për më pak se një vit, pala kosovare ka nisur shumë punë të rëndësishme për kontrollin e ndotjes së ajrit me ekspertët e JICA-s”, tha Taizo.
Në kuadër të këtij projekti katër milionësh, parashihet analizimi i cilësisë së ajrit, listimi i burimeve të mëdha të ndotjes dhe vlerësimi i masave të kontrollit të ndotjes së ajrit. /Telegrafi