Site icon Telegrafi

Reshitaj merr përkrahje nga Zvicra në menaxhimin e resurseve ujore

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim- SDC, në udhëheqje të ekspertit të resurseve ujore Peter Koenig.

Pasi falënderoi për mbështetjen që qeveria zvicerane po jep në fushën e ujërave në Kosovë, ministrja Reshitaj prezantoi prioritetet e saj, duke filluar me ngritjen e kapaciteteve humane brenda Autoritetit Rregullativ të Pellgjeve Lumore, shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në tërë territorin e Kosovës, menaxhimin e duhur të burimeve ujore dhe riparimin e rrjetit ekzistues të ujësjellësit.

“Jam e shqetësuar për faktin se që nga viti 1984 nuk kemi studim të rrjedhave ujore nëntokësore dhe sipërfaqësore në Kosovë, dhe është e papranueshme që ne të bazohemi ende në këtë studim duke marrë parasysh që ndryshimet klimatike po shkojnë në disfavor të kapaciteteve ujore”, ajo.

Reshitaj paraqiti edhe iniciativën e saj për të zëvendësuar gypat e ujësjellësit me përbërje të asbestit, të cilët sipas ministres janë shumë të rrezikshëm dhe rrezikojnë shëndetin e mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

Nga ana tjetër eksperti zviceran Peter Koenig përgëzoi ministren për angazhimin e saj në fushën e mjedisit e në veçanti në menaxhimin e resurseve ujore, mbrojtjen e tyre nga ndotja, rehabilitimin e shtretërve të lumenjve etj.

Ai premtoi se do të përkrahë ministren Reshitaj në realizimin e projekteve që ka iniciuar ajo duke përfshirë edhe përkrahjen për studentet e hidroteknikës në Universitetin e Prishtinës në zgjerimin e njohurive të tyre praktike si dhe në vetëdijesimin e qytetarëve për menaxhimin e duhur të ujit. /Telegrafi/

Exit mobile version