Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj bashkë me inspektoratin vizitoi Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), respektivisht Termocentralin “Kosova B”, si dhe shoqërinë aksionare “Kosova Thëngjill”.
Reshitaj në KEK u prit nga drejtori Arben Gjukaj, i cili njoftoi ministren me mbarëvajtjen e punës në këtë termocentral, gjendjen dhe funksionimin e filtrave për kontrollimin dhe reduktimin e ndotjes që vjen nga ky termocentral.
Gjatë vizitës kërkoi nga menaxhmenti i KEK-ut që të punojmë më shumë në reduktimin e ndotjes së ajrit, rehabilitimin e filtrave si dhe krijimin e zonave të reja të gjelbërta përreth zonës së termocentraleve në mënyre që të kemi një mjedis dhe ajër më të pastër për qytetaret e Obiliqit, Prishtinës e Fushë-Kosovës.
“Jam e lumtur që tani më do të ndërtohet Termocentrali ‘Kosova e Re’ sipas standardeve evropiane, me teknologjinë më të re të filtrave për të reduktuar ndotjen e ajrit. Pra të gjithë varësisht nga përgjegjësitë që kemi duhet të kontribuojmë në krijimin e një mjedisi sa më të pastër për të gjithë”, u shprehë Reshitaj.
Pas kësaj ministrja Reshitaj vizitoi edhe shoqërinë aksionare “Kosova Thëngjill” ku u prit nga drejtori Hamit Leci, nga i cili u njoftua për procesin e trajtimit dhe distribuimit të thëngjillit.
Leci prezantoi idenë dhe gatishmërinë që thëngjilli i KEK-ut të eksportohet në vendet e rajonit si masë preventive për reduktimin e ndotjes së ajrit duke u bazuar në kërkesat për furnizim me thëngjill që vijnë nga Greqia e Maqedonia.
Reshitaj në takim, shprehu përkushtimin e saj në gjetjen e solucioneve për reduktimin e ndotjes së ajrit që vjen nga përdorimi i thëngjillit për ngrohje. /Telegrafi/