Site icon Telegrafi

Republika Dominikane njeh pavarësinë e Kosovës

Në letër thuhet: “Qeveria e Republikës Dominikane, në bazë të autoritetit kushtetues dhe në pajtim me praktikat dhe normat ndërkombëtare për njohjen e shteteve është pajtuar ta njohë Republikën e pavarur të Kosovës”.

Po ashtu në letër theksohet se, Republika Dominikane përgëzon autoritetet dhe popullin e Kosovës për të arriturat dhe krijimin e strukturave institucionale që i mundësuan popullit të Kosovës të ketë shtet Sovran dhe të njohur ndërkombëtarisht.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës i shpreh mirënjohje institucioneve dhe popullit të Republikës Dominikane dhe do të punojë në intensifikimin e raporteve deri në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, thuhet në një komunikatë të kësaj ministrie.

Paraprakisht, kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli kishte njoftuar se Republika Dominikane kishte njohur pavarësinë e Kosovës. Ai nëpërmjet një telekonference nga Luganoja e Zvicrës, ka thënë se para dy ditësh kjo njohje i është konfirmuar në telefon nga kryetari i Republikës Dominikane, ndërsa mbrëmë ka marrë notën kredenciale.

Republika Dominikane është bërë shtetit i 62 që ka njohur pavarësinë e Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version