Site icon Telegrafi

Repriza e filmit “RSFJ”

Policët e pushtetit të atëhershëm jugosllav, shpesh trokisnin në dyert e shtëpive të shqiptarëve, sidomos në Kosovë. Familjet trishtonin sa po i shihnin policët se po afrohet drejt shtëpive të tyre, me droje se po ju kumtohet një lajm i hidhur. Nëse ndonjë anëtarë i familjes ishte në shërbim ushtarak, familjarët prisnin se policët kanë ardhur t’i njoftojnë zyrtarisht se biri i tyre ka bërë vetëvrasje. Në ndonjë rast tjetër, se familjari i tyre ka bërë ndeshje në komunikacion dhe ka humbur jetën.

Kur bëhej fjalë për likuidim të më tepër personave, përdorej si shkas veprimtaria e tyre irredentiste dhe armiqësore kundër shtetit të atëhershëm jugosllav dhe për ndonjë arsye të fabrikuar nga ana e pushtetit të atëhershëm represiv të njëmendësisë, atyre u shqyrtohej dënim me burg. Përjetimet e tyre në burgjet famëkeqe jugosllave, mbaronin ose me vdekje prapa grilave ose lëshoheshin nga burgu disa ditë para vdekjes.

Nëse vdisnin brenda mureve të burgjeve, arsyetimi zyrtar ishte i thjeshtë, ka bërë vetëvrasje ose ka tentuar të ik nga burgu dhe pasi që nuk u është bindur thirrjeve të rojeve të burgut, është ekzekutuar në ikje.

Ishin disa metoda që përdoreshin si pretekste zyrtare për mbulimin e gjurmëve të vrasjeve të shqiptarëve me komplote dhe inskenime nga më të ndryshmet. Kur ndonjë shqiptarë vihej në fokusin e sistemit të atëhershëm politik si kundërshtar me synime irredentiste dhe armiqësore, lajmi për vdekjen e tij natyrore apo aksidentale ishte gjë e sigurt. Pasonte inskenimi nga ana e shërbimeve për sigurim të brendshëm të shtetit.

Edhe pas dy dekadave, tani, në kohën kur mendojmë se ka perënduar regjimi i tillë i njëmendësisë, po shfaqet hija e po të njëjtit regjim në kornizat e një shteti që pretendon se kultivon sistemin demokratik të qeverisjes dhe aq më shumë, shtetit që pretendon të bëhet pjesë e asociacioneve të ndryshme internacionale, ku në thelb kultivohet demokracia e vërtetë. Njësoj si në kohën e Jugosllavisë së atëhershme, kemi ”vetëvrasje” të shqiptarëve nëpër burgjet e Maqedonisë, kemi likuidime klasike të grupeve shqiptare me pretekst se kanë bërë kontrabandë me armë.

Sot, edhe pas dy dekadave të sistemit demokratik, shqiptarët mbajnë mend bastisje të vendbanimeve të tëra, vrasje misterioze të motivuara politikisht, burgosje të qindra shqiptarëve për motive politike, diskriminim kulturor, sportiv, arsimor dhe në çdo sfere tjetër institucionale që rendon shteti. Historia po përsëritet.

Dallimi mes kësaj katrahure antishqiptare, në perspektivë dje, dhe tash, ndoshta ka vetëm një element dallues. Ato botë shqiptarët përfaqësoheshin nëpër institucionet e shtetit jugosllav nga individë të caktuar, ndërsa tani përfaqësohet nga grupe njerëzish të organizuar në parti politike me prefiks shqiptarë. Forca e këtyre të fundit për të parandaluar skenarët kundër shqiptarëve nga ana e sistemit shtetërorë, edhe pse pjesëmarrëse në to, të paktën nga pluralizmi politik e deri më tash, është dëshmuar se është e paqenë. Shqiptarët “kontrabandist” vritet, “vetëvriten”, burgosen dhe bastisen, njëjtë si në sistemin e kaluar komunist, ndërsa shqiptarët e pozicionuar nëpër institucionet e shtetit, për raste të tilla mësojnë vetëm pasi ato të realizohen, dhe ndoshta nëpërmjet masmedias.
 

Exit mobile version