Site icon Telegrafi

“Reporterët pa kufij”: Rama ka koncept të gabuar për demokracinë

Organizata “Reporterët pa kufij” dënon sjelljen e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ndaj gazetarit të “BILD”.

“Kryeministri shqiptar Edi Rama ka një koncept të çuditshëm për demokracinë dhe të drejtat e njeriut”, është shprehur drejtori i degës gjermane të organizatës “Reporterët pa kufij”, Christian Mihr”, sipas një artikulli të publikuar në faqen e internetit të kësaj organizate.

“Është detyrë e medias, mes tjerash, që t’u kërkojë llogari pushtetarëve. Kjo është pikërisht ajo që ka bërë gazeta ‘BILD’ dhe ajo i ka mbështetur hulumtimet e saj në burime. Këto janë gurët e themelit të një shtypi të lirë, të cilin e kemi ankoruar në vlerat e komunitetit tonë në Bashkimin Evropian. Një shtet që dëshiron të bëhet pjesë e atij komuniteti duhet t’i respektojë këto vlera “, ka thënë Mihr.

Gazeta gjermane BILD pat publikuar më 5 qershor një artikull në internet, i cili akuzon kreun e qeverisë shqiptare se ka përdorur paratë e mafies për të blerë vota gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. ‘BILD’ e ilustronte këtë akuzë me përgjimet telefonike ku dëgjoheshin perfaqësues të partisë qeverisëse që komunikonin me pjesëtarë të krimit të organizuar.

Sipas BILD përgjimet janë të vërteta. Ndërkohë vërtetësinë e këtyre përgjimeve e ka konfirmuar edh Prokuroria e krimeve të rënda.

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, i hedh poshtë këto akuza dhe nëpërmjet një mesazhi në Twitter e ka kërcënuar me paditje gazetarin gjerman. Rama ka bërë të ditur nëpërmjet Twitter-it se ka ngarkuar me këtë detyre avokatin e njohur gjerman, Matthias Prinz.

Sapo i kam dhënë prokurën avokatit gjerman Matthias Prinz, për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e ‘BILD’! Gjykatat gjermane le ta vendosin kush ka të drejtë e kush ka faj në këtë mes. E bëj sepse shqiptarët meritojnë ta dinë të vërtetën nga drejtësia e atij vendi pa hije.

Edhe historian i njohur Oliver Jens Schmitt e dënoi në një intervistë për DW këtë kërcënim të kryeministrit shqiptar.

“Do të ishte më mirë sikur ai të luftonte me forcë lidhjet ndërmjet trafikut të drogës dhe politikës se sa të merrej me median që informoi për këto lidhje”, tha Schmitt.

Organizata Reporterë pa Kufi kritikon në artikullin e saj politikat e qeverisë shqiptare ndaj medias e sidomos ligjin e fundit të qeverisë shqiptare që mundëson dënime të rënda për mediat shqiptare dhe të huaja në internet. Në indeksin kësaj organizate për lirinë e shtypit, Shqipëria zë vendin e 82 nga gjithsej 180 shtete.

Exit mobile version