Site icon Telegrafi

Reportazh për Prizrenin: Në qytetin e bukurisë dhe traditës – para, gjatë e pas iftarit (Video)

Ekziston një përshtypje e përgjithshme, që Prizreni është më i bukuri qytet i Kosovës. Pas çlirimit, qëkur Kosova është bërë lehtësisht e qasshme për tu vizituar, Prizreni është bërë një destinacion i pashmangshëm për turistët.

Në shekullin XIX, kur popullsia e qytetit qe rreth 50 mijë banorë, Prizreni ishte qyteti me prodhimin më të madh artizanal në Ballkan: armët e armëpunuesve të Prizrenit tregtoheshin në tërë Ballkanin, në Egjipt dhe në gjithë Mesdheun Lindor. Pas ndërtimit të hekurudhës Selanik – Beograd, rëndësinë e Prizrenit si kryeqendër e Vilajetit të Kosovës e mori Prishtina, dhe pikërisht këtu qëndron dhe fati i Prizrenit që duke mos u modernizuar shpejt, ai u ruajt duke mbetur mjaft autentik, transmeton Koha.net.

Sot, Prizreni ka rreth 170 mijë banorë dhe gati në çdo rrafsh, është qyteti i dytë më i rëndësishëm pas Prishtinës. I shtrirë anës Lumbardhit, ato që më së shumti i japin hijeshi Prizrenit, janë xhamitë dhe godinat e vjetra të kohës osmane, rrugët ma kalldrëm, urat e gurit, “Ura e kaltër e dashurisë”, kalaja e qytetit dhe mbi të gjitha, vetë historia që ka pasur Prizreni.

Megjithëse ai nuk ka ndonjë festival demash apo karnaval kostumesh siç i kanë qytetet spanjolle e italiane, Prizreni ka një sezon gjatë të cilit ambientet e qytetit, marrin pamjen e tyre më të mikpritëse. Është fjala për stinën e verës dhe sidomos sikur këtë vit, kur në të qëllon muaji i Ramazanit.

Me të hyrë në këtë muaj, oraret e jetës publike në Prizren ndryshojnë kurse vetë qyteti merr një pamje më unike. Duke qenë mbase qyteti me jetën më të kultivuar tradicionale në vend, shumica e banorëve këtu mbajnë agjërim gjatë këtij muaji të kalendarit islam.

Kjo bën që dita të jetë fare e qetë, kurse nata të marrë gjithë gjallërinë e qytetit.

Teksa afrohet perëndimi i diellit dhe njëkohshëm me të koha e vaktit të iftarit, restorantet anës Lumbardhit, mbushen me njerëz që do të hanë iftar jashtë.

Shumë familje, çifte të dashuruarish, grupe shoqërish dhe kolegësh rezervojnë qysh më herët një vend këtyre lokaleve për të bërë iftar.

Gjersa i afrohemi mbrëmjes, tavolinat e agjëruesve, mbushen me “pirajkat” aq të njohura të Prizrenit si dhe me ushqime të tjera. Pak metra më tutje, takojmë një grup nxënësish filloristë që iftarin e kësaj dite do ta hanë së bashku. Siç na tregojnë shërbyesit e këtyre restoranteve, gjatë Ramazanit, këtu vijnë për të bërë iftar agjërues nga e tërë Kosova. Pak kohë para se ora të jetë 8 e 25 minuta kur dhe është koha e iftarit të kësaj dite, të gjithë mbajnë shikimin drejt minareve të xhamive, në pritje të thirrjes së myezinëve dhe ndezjes së dritave. Pas ezanit të lutjes së mbrëmjes, kur të gjithë janë duke ngrënë iftar, qyteti zhytet në një qetësi gati ceremonial. Përveç restoranteve, në Prizren shtrohen edhe shumë iftare publik bamirësie, që janë të hapur për çdo agjërues. Një orë pas vaktit të iftarit, turma njerëzish nga të gjitha anët, mbushin rrugët e kalldrëmta dhe Prizreni kthehet në qytetin më të gjallë të Kosovës.

Duke kaluar nga një anë e lumit në tjetrën ata kërkojnë të gjejnë një vend nëpër këto lokale, ku shumica pinë kafe dhe çaj të zi. Njëkohësisht me këtë jetë nate, gjatë muajit të Ramazanit, në Prizren gjallërohet edhe jeta fetare.

Rreth dy orë pas vaktit të iftarit, ata që janë më të përkushtuar ndaj fesë, ia mësyjnë xhamive për të falur namazin e teravive, një lutje e veçantë gjatë Ramazanit dhe më e gjata falje në islam. Para dhe pas kësaj lutjeje klerikët myslimanë, ndër të cilët ka edhe të ardhur nga Turqia veçantë për këtë muaj, mbajnë ligjërata që kryesisht u kushtohen rëndësisë së agjërimit.

Exit mobile version