Site icon Telegrafi

Reportazh nga Dardha: Ndryshe-ndryshe në çdo stinë

Nga: Zylyftar Hoxha

… Kështu thuhet për Korçën, Dardhën dhe Vokopojën në një guidë të shkruar nga një i mërguar në Amerikë në vitet ’30 të shekullit të kaluar dhe të redaktuar nga Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli). Guida është botuar nën kujdesin e Patroneshës së Turizmit të asaj kohe, zonjës Mexhide Zogu, motrës së Mbretit Zog dhe përbën një dokument që dëshmon se Korça, Dardha dhe Voskopoja, veç historisë klasike, kanë edhe një histori tjetër, që rrallëkush në Shqipëri e ka: historinë turistike.

Është pikërisht kjo histori dhe traditë, veç zhvillimeve të mëvonshme, që i bën shumë njerëz nga të gjitha anët e Shqipërisë të vërshojnë drejt Juglindjes, këtij destinacioni turistik shumë të dëshiruar.

Sepse Korça, jo vetëm si qytet, por edhe në të gjithë territorin dhe fshatrat e saj, ka resurse të mrekullueshme turistike. Në radhë të parë, aty janë njerëzit shumë të dashur dhe miqësorë, që, siç thotë fjala e popullit, “s’të lënë të biesh mbërdhe”. Gjen hotele dhe lokale luksi me një gatim të shkëlqyer të kuzhinës tradicionale.

Akcenti i korçarëve, si të qytetit ashtu edhe të fshatit, është disi përkëdhelës dhe ke qejf kur e dëgjon. Ai ngjan si muzikë, dhe kur e flasin pleqtë, të duken edhe 10 vjet më të rinj.

Po fshatrat? Histori më vete, në ta gjen një mikpritje që vetëm banorët e këtyre anëve dinë ta bëjnë. Shtëpitë e tyre ndrijnë nga pastërtia. Bollëku i tyre duket jo vetëm në tavolinat e ngrënies, por edhe në oborret dhe kasollet e mbushura plot.

Do të kënaqeni me mjediset e shtëpive, të avllive, çezmave dhe selishtave të tyre. Bujqit (më falni, fermerët) e këtyre anëve janë nga më punëtorët në Shqipëri. Ata ndoshta nuk e dinë konceptin “turizmi i gjelbër” (fshatar). Po shkoni dhe s’keni për të ndjerë të ngopur së sodituri fermat e tyre bujqësore dhe blegtorale të organizuara mjeshtërisht me prodhime të çdo lloji.

Po ushqimi? Dardha dhe Voskopoja kanë namin, por atë kuzhinë do ta gjesh dhjetëfish më të mirë edhe këtu në Libonik, Pocestë, Vloçisht, Vashtmi, Symiz, Vreshtaz, Vitkuq, Lubonjë etj.

Dhe, me që vini deri këtu, mos harroni të pini një kafe në Vreshtas. Pas kësaj kafeje çapituni edhe pak më tej, në Sheqeras, vendi që ka mbushur hartat meteorologjike të botës, si vendi më i ftohtë në Shqipëri. Në këtë fshat është regjistruar temperatura më e ulët në të gjithë Shqipërinë: -25.8°C në vitin 1963.

Pas kësaj kafeje ec më tej, ku potencialet turistike nuk kanë fund si në qytet ashtu edhe në fshat. Kudo mund të bujtësh i rrethuar nga një mikpritje e veçantë, por Dardha dhe Voskopoja mbeten ndër vendet më mikpritës, më të mësuar me vajtje-ardhje udhëtarësh.

Në çdo stinë të vitit aty vijnë vizitorë të shumtë, sepse, si Dardha ashtu edhe Voskopoja ofrojnë tablo natyrore tërheqëse që të rrëmbejnë me bukurinë e tyre të magjishme.

Meqenëse kemi qenë më parë në Voskopojë, këtë radhë zgjodhëm Dardhën. Thuhet se të jetosh në Dardhë mund të konsiderohet një bekim, por edhe ta vizitosh Dardhën, është një kënaqësi e vërtetë, që duhet provuar të paktën një herë në jetë, siç po bëjmë edhe ne familjarisht.

Duke u ngjitur drejt saj, më shkon ndërmend ajo ç’kam lexuar për të në burime të ndryshme historike. Pasi Dardha nuk ka vetëm natyrën mahnitëse, por mahnitëse ka edhe historinë.

***

Duke e vështruar nga veranda e hotel-restorant “Shtëpia e Gjuetarit”, një nga objektet më të frekuentuar të Dardhës, ku kemi bërë konak, Dardha duket vërtet parajsë. E shtrirë mes maleve e pyjeve, me një bukuri të rrallë natyrore, në lartësinë e 1344 metrave, mbi nivelin e detit, Dardha ofron një klimë të shëndetshme dhe ajër të pastër. Sportet dimërore, veçanërisht skitë, tërheqin turistë të apasionuar pas tyre. Gjelbërimi dhe freskia e ditëve të verës, por dhe dimri me shumë dëborë, e bëjnë atë një vend të preferuar.

Por, nuk është vetëm natyra. Janë edhe njerëzit ata që të tërheqin, të cilët rrezatojnë një kulturë të veçantë. Mikpritja zë një vend të rëndësishëm në traditën e fshatit, në çdo rrugicë ka kroje e burime uji, të projektuara enkas për ata që vinin të vizitonin Dardhën. Shtëpitë e gurta karakteristike plotësojnë bukurinë e këtij fshati. Peizazhi, mundësia për të ecur dhe shëtitur në natyrë e bëjnë Dardhën të veçantë. Ajri dhe uji i Dardhës kanë vlera kurative.

Që herët, por sidomos kohët e fundit, turizmi në Dardhë është zhvilluar shumë, duke u vënë në dispozicion të tij çdo resurs i mundshëm. Në Dardhë të gjitha shtëpitë e banorëve janë të përshtatshme për akomodim, me kushte komode, mjaft të rehatshme dhe intime për turistët.

Në s’do të bujtësh në këto shtëpi, ka plot hotele dhe motele-shtëpi që ofrojnë kushte shumë të mira dhe çmime të arsyeshëm, midis të cilëve edhe ish-shtëpia e dikurshme e pushimit.  E veçanta e sezoneve është që sezoni i verës frekuentohet më shumë nga turistë të huaj, ndër të cilët më të shumtë turistë gjermanë, anglezë, francezë, grekë, izraelitë, kinezë etj. Numri i turistëve sa vjen e rritet, e kështu, e bën atë të gëzojë traditë të pasur në vlera.

Dardha si shumë fshatra të tjerë të juglindjes së Shqipërisë, ka shtëpitë e saj karakteristike të ndërtuara me pllaka guri, rrugicat me kalldrëm, portat e zbukuruara me motive artistike e oborret plot me lule.

Në Dardhë dikur ndodheshin njëqind burime të kthyera në çezma të bukura, ndërtuar nga mjeshtra të ndryshëm, që udhëtarët të freskoheshin e të shuanin etjen. Akoma edhe sot disa prej këtyre burimeve ndodhen nëpër rrugët e fshatit.

Turistët që vijnë në Dardhë, mahniten nga rregullsia e planimetrisë së shtëpive, arkitektura interesante, pastërtia shembullore nëpër rrugët me kalldrëm, që në shumicën e kohës, janë të mbushura edhe me një shtresë bari.

Karakteristikë e kuzhinës dardhare është lakrori me dy petë. Gjithashtu, ju duhet të provoni patjetër edhe pjata të tjera të amvisave të Dardhës, pa lënë mënjanë gatimet e tjera të zonës së Korçës, si oshmaret, kërnackat, mishin e pjekur të zonës etj. Por edhe produktet e zgarës, duhen provuar, ato sidomos marrin shije tjetër, nëse i konsumoni gjatë një pikniku në natyrë.

Ja pse s’të mërzitet Dardha – se  atë e gjen ndryshe nga stina në stinë, por edhe nga viti në vit. Sa herë që vete atje të duket se vete për herë të parë.

Se natyra aty ndryshon çdo orë e çdo ditë, se pritësit e dardharë dinë ta bëjnë turizmin si në asnjë vend tjetër në Shqipëri.

Ndaj që ta “shijosh” Dardhën e Korçës, duhet ta provosh katër herë në vit, në të katër stinët, pasi ajo është ndryshe në çdo stinë e sezon. Atë që e gjen në dimër, nuk e gjen në verë; atë që gjen në pranverë nuk e gjen në vjeshtë.

Në dimër është bora, janë skitë, oxhaku me zjarrin bubulak, turshitë, pastërmaja dhe lakrori karakteristik; në pranverë lulet, shushurima e pyjeve dhe kënga e zogjve; në verë ditët dhe netët e freskia, uji brisk i ftohtë dhe shëtitjet çlodhëse nëpër ahishtat rreth e rrotull; në vjeshtë ngjyrat mbresëlënëse dhe tavolina plot me më të mirat dhe më të shijshmet e stinës.

Po u nisët për në Dardhë, mos u sikletosni për asgjë. Aty gjen gjithçka që iu duhet. Janë mbi 60 njësi e akomodimi që janë të mjaftueshme dhe jo shumë të kushtueshme, duke nisur nga ish-shtëpia e pushimit e kthyer në hotel dhe restorant, ndërtimit të hoteleve të rinj, apo gjithashtu të provoni nga afër traditën e mikpritjes të banorëve të zonës duke bujtur në shtëpitë e tyre karakteristike të ndërtuara me gurë dhe oborret e hijshme plot lule.

Pa dyshim që Dardha është bërë një destinacion i preferuar për shumë vizitorë nga e gjithë Shqipëria. Asfaltimi i rrugës, sigurimi i ujit të pijshëm, pyjet e ruajtura anembanë saj, kanë krijuar një pamje vërtet të mrekullueshme në çdo stinë.

Duke marrë shënime për një reportazh për krahinën e Devollit, të cilin e kam botuar në librin tim “Udhëtime nëpër Shqipëri, guidë kulturore dhe historike”, një banor nga ata shumë punëtorët, por edhe shumë të mençurit, që devolli i ka me shumicë më tha një gjë që nuk e kisha hasur të shkruar në asnjë vend.

Ai kishte një vërejtje për qeverinë, për Ministrinë e Turizmit, për bashkinë e Korçës dhe të Bilishtit, të cilët, për fat të keq, në promocione, guida turistike, emisione televizive, reportazhe e shkrime nëpër gazeta, Dardhën e kanë lënë, por edhe e paraqiteshin si një ishull thesaresh të izoluar.

“Nuk është kështu”, vazhdon ai, “Dardha është pjesë e Devollit, si gjeografike ashtu edhe etnokulturore. Bukuria nuk mbetet vetëm brenda saj, por vazhdon më tej, në vende dhe pika të Devollit që nuk janë shumë larg Dardhës dhe mund të shkelen nga turistët pa ndonjë sforcim të madh fizik si Sinica, Bradëvica, Arrëza, Nikolica, Qyteza etj”.

Dhe më tej ai shton edhe opsione dhe destinacione të tjera. Kështu nëpërmjet rrugës Miras-Dardhë shtohen si atraksion turistik edhe Ziçishti, Grapshi, Hoçishti, Progri, pse jo, i gjithë Devolli.

Turistëve mund t’u jepet mundësia të shohin dy nga burimet e lumit të Devollit, njëri në Moravë e tjetri në Gramoz dhe ky do të ishte një përjetim i jashtëzakonshëm.

Kjo do të bënte që turistët të qëndrojnë më shumë ditë në Dardhë, rrjedhimisht të sjellin më shumë valutë në tregun shqiptar.

Kjo përsa u përket bukurive natyrore, por edhe vlerat etnokulturore të Devollit nuk janë më të pakta se ato të Dardhës.

Lëvdohet mikpritja, lakrori dhe rakia e kumbullës së Dardhës, por nuk janë provuar mikpritja, lakrori dhe rakia e Devollit.

Pra, Dardha nuk është një ishull enigmatik i izoluar, por pjesë e një krahine të tërë, si ajo e Devollit. Të paktën kështu e njeh historia, gjeografia, demografia, ekonomia dhe kultura shqiptare.

Dardha është në Devoll dhe e Devollit. Pse nuk futet në hartat turistke dhe të trajtohet si e tillë?! Ndoshta nuk do të jetë e largët dita kur harta turistike e kësaj zone do të zgjerohet.

Profesioni jetik i dardharëve të paktën deri nga fundi i shekullit të XIX-të ishte ai i druvarit. Mungesa e tokës dhe terreni i vështirë i detyroi dardharët me sëpatë dhe sharrë në krah ta gjejnë punën aty ku kishte nevojë për këtë zanat, natyrisht, larg vendbanimit dhe familjeve të tyre.

Ata, si oparakët dhe panaritasit me çekan e mistri në torbë, ishin nga mërgimtarët e parë të rrethinave të Korçës në vendet ballkanike, Greqi, Rumani, Bullgari, Stamboll etj. Më të organizuar në punët larg ishin dardharët. Me karvanë prej 20-30 vetash, me mushka, të armatosur, ata niseshin kudo ku kishte punë, sidomos në pyjet greke, në Olimp, në malet e Selit, të Athosit, Mesollongjit, në Demir-Kapi, Anodoll, Ruse, Isekum të Turqisë, në malet e Rodopit në Bullgari, në skelën e Varnës etj.

Sëpata, vegla bazë e dardharit u kthye në legjendë, aq sa mbeti edhe shprehja e njohur “Ia pret me sëpatën e dardharit”.

Pas emigrimit sezonal në vendet e Ballkanit dhe të Turqisë, të mësuar tashmë për të punuar e jetuar jashtë familjes, me fillimin e emigracionit në kontinentin amerikan, ata qenë të parët që morën rrugën e largët.

Në fund të shekullit të XIX dhe fillim të shekullit të XX, Dardha u zbraz nga burrat. Rrallë shtëpi mbeti pa e çuar një emigrant drejt kontinentit të largët. Aty dardharët patën një rol të madh e të mirënjohur nëpër shoqëritë patriotike, duke kontribuar ndjeshëm për komunitetin shqiptar në Amerikë, por edhe për ngjarjet më madhore historike të Shqipërisë, duke marrë pjesë aktive në këto ngjarje.

Kurbetlinjtë dardharë, praktikë dhe të mençur, ata u kujdeseshin për shtëpitë e tyre, edhe kur në to nuk banonte asnjë trashëgimtar.

Një pjesë e madhe prej tyre, kur iknin me gjithë familjen jashtë, u linin çelësat e shtëpive fqinjëve për bujtësit që vinin në Dardhë për verim apo dimërim. Sepse Dardha ka qenë e lakmuar për turizëm që para, të paktën, 100 vjetësh.

Sot në Dardhë ka pakë dardharë autoktonë. Si në gjithë vendet e lakmuara në Shqipëri, edhe Dardha u “pushtua” nga ardhës të shkathët, të zotët, të parasë së pastër, por edhe mafiozë të krahinave të tjera; erdhën këtu dhëndurrë e ish-dhëndurrë duke ndërtuar shtëpi, vila, bujtina, motele e hotele dhe duke e bërë Dardhën të famshme si dikur, por edhe më të mirë se dikur.

 

Exit mobile version