Të burgosurit e Burgut të Dubravës janë shumë të pakënaqur me kushtet aty.
Përveç faktit që janë të vendosur në një dhomë me ata që kanë vepra të ndryshme penale, rezidentët e këtij burgu shprehin shqetësime të mëdha edhe për trajtimin, ushqimin e higjienën në burg, raporton KTV.
Ndërsa, shtojnë se edhe vizitat e punëtorëve socialë, ndonëse janë të obligueshme, u bëhen rrallë herë.
Por, vërejtjet e tilla të të burgosurve, drejtori i Burgut të Dubravës, Ismail Dibrani, thotë se nuk qëndrojnë.
Sipas tij, të burgosurit ushqehen në mënyrën dhe ushqimin e njëjtë sikurse vet stafi dhe shërbimi i këtij burgu.
Ndërkohë, sa i përket nivelit të pastërtisë, Dibrani e pranon se jo çdo herë higjiena është në nivelin e duhur. Por, sipas tij, kjo më shumë është edhe çështje individuale e vet të burgosurve.
Përkundër këtyre ankesave, të burgosurit e Dubravës kanë edhe një sërë aktivitetesh që i kryejnë brenda këtij objekti. Aktualisht, aty janë 769 të burgosur.