E enjtja parlamentare e gjeti për të katërtën javë rresht opozitën në bulevard. Ndryshimet në qeveri u komentuan kështu nga çadra.
“Xhafaj në krye të Ministrisë së Brendshme tregon se Rama vijon lidhjet me krimin. Prandaj jemi këtu për të bërë thirrje për zgjedhje të lira e të ndershme”, tha kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka.
Nënkryetari i Kuvendit thotë se shtyrja e afateve nga KQZ nuk thotë asgjë për veshët e opozitës.
“Lajmi tjetër, për të qeshur e për të qarë, KQZ zgjati afatin e regjistrimit të përfaqësuesve të Partisë Demokratike në komisionet zonale dhe me dy javë. Se kanë kuptuar që ne jemi njerëz seriozë. Zgjedhje farsë s’ka për të pasur, le ta shtyjnë afatin”, tha Edmond Spaho,
Sali Berisha dhe batutat e tij të enjteve, tashmë janë vetëm për veshët e mbështetësve në çadër. Por mesazhet e tij ishin përtej kufijve të vendit:
“Guvernatorja Vlahutin mbështeti Ramën. Donald Lu mbështeti deri diku Ramën. Rama donte ta bënte pa ne reformën në drejtësi. Me konsensus të votohen edhe 7 ligje të tjera. Ne jemi njerëz të marrëveshjes. Vegël e kujt ne nuk bëhemi kurrë”, tha Berisha.
Në podiumin e kuvendit edhe këtë të enjte, vendin e tij e mori Ben Blushi. Por ai foli ngjashëm me Berishën.
“Për ca qëndron në këmbë ky koalicion? Për kinkaleri ministrash, më jep një buzëkuq, të jap një rimel. Atë që Meta se do ministër, ai nuk është. Kjo është taksa e koalicionit. Kë pranon Meta ministër apo kryeministër, ai bëhet”, tha kreu i LIBRA-s, Ben Blushi në Kuvend.
Ndërkohë në mungesë të kryeministrit, përgjigjen Blushit, kësaj radhe me gjuhën e Edi Ramës, ja dha vetë Ilir Meta.
“Meqenëse në këtë fjalim historik unë u përmenda më shumë se nga politikanët e vjetër, nga një politikan i ri i sapo ardhur nga një planet tjetër, dua t’i them të gjithë ministrave, kandidatëve për ministra, sot nesër e për gjithmonë, që e vetmja ndërhyrje që kam tentuar të bëj pranë z. Rama kur është bërë qeveria, është që parafolësi të bëhej ministër”, tha Meta. /Tch/Telegrafi/