Telegrafi

Reperi shqiptar Dardan përfshihet në një konflikt tifozësh në ndeshjen Stuttgart-Koln në Gjermani

Rap-artisti i njohur shqiptar, Dardan, i cili jeton dhe vepron në Gjermani thuhet se është përfshirë në një konflikt masiv gjatë ndeshjes Stuttgart-Koln.

Sipas mediave gjermane, reperi emri i vërtetë i të cilit është Dardan Mushkolaj thuhet se ka qenë në tribunat e tifozëve, kur ka filluar të xhirojë me celularin e tij.

Me të parë që ai po filmonte, ultrasit janë acaruar pasi nuk donin që fytyrat e tyre të dilnin para kamerës.

Kështu pas disa të bërtiturave, një grup tifozësh i kanë kërkuar disa herë reperit 24-vjeçar që të mos e bëjë një gjë të tillë, por ai ka vazhduar ta bëjë.

Pasi ai ka refuzuar të mos xhirojë, ka lindur një konflikt ku Dardan së bashku me miqtë e tij janë përzënë nga tribuna e ultrasve.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, mund të shihet momenti kur mes grupeve është zhvilluar konflikti, teksa tek të enjten është bërë identifikimi i reperit shqiptar, që ka qenë pjesë e tyre.

Dardan përndryshe njihet për disa projekte muzikore të suksesshme, një prej të cilave e solli së fundmi në bashkëpunim me reperët Mozzik dhe Nimo. /Telegrafi/