Reperi amerikan Jay-Z po lidhet me blerjen e mundshme të aksioneve të një klubi të njohur anglez që bën gara në Ligën Premier.
54-vjeçari, i cili nga shumë persona cilësohet si reperi më i mirë i të gjitha kohërave, është po ashtu një biznesmen i suksesshëm.
Reperi, emri i vërtetë i të cilit është Shawn Carter, ka arritur të krijojë një pasuri në vlerë prej 2 miliardë eurosh falë karrierës së tij në muzikë, marrëveshje të sponsorizimit dhe investimeve.
Ai është i njohur si një tifoz i sportit në përgjithësi dhe për këtë arsye kishte krijuar firmën Roc Nation Sports në vitin 2013, ndërsa më herët ai kishte pasur një përqindje te aksioneve të klubit të basketbollit Brooklyn Nets.
Jay-Z është po ashtu një fans i zjarrtë i futbollit dhe më herët kishte zbuluar se bën tifo për Arsenalin.
“Kur Thierry Henry ishte pjesë e klubit unë e pash atë duke luajtur dhe mendova se ai është një lojtar i mrekullueshëm”, kishte thënë Jay-Z në vitin 2010.
Tani siç raportohet, miliarderi amerikan John Textor është i etur për ta sjellur reperin në stafin e tij në përpjekje për të blerë aksionet e Evertonit.
Biznesmeni 58-vjeçar ka kontaktuar disa partnerë të ndryshëm për t’i ndihmuar atij të blejnë aksionet e Evertonit, duke përfshirë këtu edhe Jay-Z ka raportuar The Sun.
Evertoni po kalon në një formë të tmerrshme këtë fillim të sezonit pasi kanë humbur katër ndeshjet e para duke përfshirë këtu një humbje të dhimbshme 3-2 ndaj Aston Villës të shtunën./Telegrafi/