Telegrafi

Reparti i Hemodializës në Prizren vatër e re e COVID-19, Muharremaj pret të tjerë të infektuar nga Suhareka

Kryetari i Suharekës Bali Muharremaj thotë se nga dy mostrat e marra nga kjo komunë gjatë ditës së sotme njëri nga ta ka rezultuar pozitiv.

“Të dy mostrat janë nga Reparti i Hemodializës në Spitalin e Prizrenit”, tha Muharremaj për RTV Dukagjini.

Muharremaj thotë se sot për fat të mirë edhe një tjetër i prekur me COVID-19 ka rezultuar i shëruar, përcjell Telegrafi.

I pari i Suharekës thotë se gjatë ditës së nesërme pritet të ketë edhe shumë raste të reja me COVID-19 për shkak të kontakteve të shumta me repartin e Hemodializës në Prizren.

“Pritet që edhe 28 mostra të reja të merren nga Suhareka që kanë pasur kontakte me Repartin e Hemodializës në Prizren”.

Kujtojmë ditëve të fundit raste të shumta nga komuna të ndryshme janë raportuar si pasojë e kontakteve me Repartin e Hemodializës në Spitalin e Prizrenit ku mjekë e infermiere kishin rezultuar të prekur me COVID-19./Telegrafi/