Një grua e ka kryer procesin e lindjes në sallën e emergjencës në QMF të Skenderajt, pavarësisht se ky institucion e ka një repart të lindjes me të gjitha pajisjet.
Një intervenim i natyrës urgjente u bë të mërkurën në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, konkretisht në sallën e emergjencës.
Stafi i këtij reparti u angazhuan në procesin e lindjes së një gruaje që u soll aty nga një klinikë private.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKMF-së në Skenderaj, Bashkim Nura ka treguar detajet se si ju desh ekipit të emergjencës të intervenoj në këtë rast.
“Dje rreth orës 09:40 minuta është sjellë një paciente që kishte kryer kontrollet në një klinikë private por që i njëjti ka drejtuar gruan që të shkoj në QKUK për lindje. Derisa kanë ardhur këtu për të kërkuar një autoambulancë, ekipi emergjente e qendrës e kanë parë gjendjen e saj dhe është dashur të intervenojnë nga ekipi e emergjencës”, deklaroi Nura për RTV Dukagjinin.
Një kat më lartë se salla e emergjencës, ky institucion ka repartin e lindjes, pothuajse të kompletuar, por i njëjti, është jashtë funksionit shkaku i një telashi me të cilin përballen edhe shumë institucione të tjera shëndetësore në komuna, mungesa e stafit.
“Ne e kemi repartin e gjinekologjisë por për shkak të pensionimit të gjinekologëve e mamive ky repart është mbyllur që nga qershori. Ministria e Shëndetësisë na ka thënë se nëse shpreh dikush nga mjekët këtu dëshirën për specializim të kësaj fushe mundet, por që s’munden të bien gjinekolog”, ka deklaruar Nura.
Derisa reparti është i kompletuar e pajisjet janë të vendosura, banorët e kësaj komune duhet të drejtohen në klinika private ose në QKUK për trajtim.
Lehona që kreu lindjen në repartin e Emergjencës në QKMF-në e Skenderajt, është dërguar më pas në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.
Gjendja shëndetësore e saj dhe foshnjës është e mirë, andaj të dyja janë liruar për në shtëpi gjatë të enjtes, është bërë e ditur nga Spitali i Mitrovicës.