Site icon Telegrafi

Repart i ri prodhues në fabrikën “Eurometal” në Babush të Ferizajt

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami mori pjesë sot -në ceremoninë e inaugurimit të repartit të ri prodhues të konstruksioneve të çelikut, në fabrikën “Eurometal”, në fshatin Babush i Ri, në Ferizaj.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja Bajrami tha se hapja e 20 vendeve të reja të punës, nga gjithsej 60 sa ka kjo kompani, është e një rëndësie të veçantë për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ajo shtoi, se tashmë në përmbyllje të vitit 2015 hapja e një reparti të ri për prodhim është sinjal i mirë që konfirmon se iniciativa dhe shpirti ndërmarrës i afaristëve kosovarë nuk mungon.

“Suksesi dhe sfidat e Kosovës për sa i takon zhvillimit ekonomik, hapjes së vendeve të punës dhe përmirësimit të mirëqenies janë të përbashkëta për të gjithë neve: institucioneve shtetërore dhe sektorit privat”, theksoi ministrja Bajrami.

Më tej, ajo shtoi se roli ynë është komplementar, ku institucionet publike përmes politikave të favorshme, hapin rrugë që biznesi privat të gjejë hapësira veprimi në zgjerimin e kapaciteteve dhe në hapje të vendeve të reja të punës. “Ne si Qeveri përkundër sfidave, kemi punuar gjatë këtij viti për ta bërë sa më të lehtë afarizmin tuaj. Janë bërë shumë ndryshime në legjislacion dhe në politika fiskale.

Puna jonë nuk ka përfunduar, dhe ne së bashku me ju do të punojmë që ta zhvillojmë vendin tonë”, potencoi ministrja Bajrami, duke shtuar se sot krijimi i vendeve të punës është shërbimi më i mirë që dikush do t’i bëjë vendit. Ne jemi të angazhuar që përpos legjislacionit, të ofrojmë edhe ndihma të tjera, tha më tej ministrja.

Ajo ritheksoi se MTI po punon në mobilizimin e fondeve nga donatorët dhe organizatat e tjera, që të ofrojmë ndihmë konkrete për ndërmarrjet tona dhe të jemi gati që t’i qasemi tregut evropian, por edhe të rrisim shkallën e konkurrencës së produkteve tona karshi atyre nga importi.

Pronari i kompanisë “Eurometal” e informoi ministren për depërtimin e produkteve të tyre në tregjet e vendeve të jashtme, për cilësinë e këtyre produkteve si dhe kapacitetet prodhuese të kompanisë.

Ai tha se kompania në fjalë që nga themelimi është marre me përpunimin e metaleve, kryesisht me prodhimin e ulluqeve vertikale dhe horizontale nga llamarina. Tani me repartin e ri kompania “Eurometal” do të bëjë përpunimin e metaleve nga çeliku të dimensioneve të ndryshme.

Në fund të kësaj ceremonie, ministrja Bajrami bëri të ditur se Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2015 ka bashkëpunuar ngushtë me komunitetin e biznesit, ndërsa Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka organizuar konferenca, takime e tryeza, duke i konsideruar bizneset si palë të interesit dhe se ky partneritet do të vazhdojë edhe në vitet në vijim, tha ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version