Site icon Telegrafi

Renzi: Rregullat e buxhetit të BE-së fyese dhe dyshuese

Rregullat disiplinore të buxhetit të Bashkimit Evropian janë fyese dhe është madje e papranueshme të mendohet se qeveritë kombëtare do t’i ndjekin ato verbërisht, deklaroi sot kryeministri italian, Matteo Renzi.

Kritikat e kryeministrit italian, Renzi u bënë tre ditë para se qeveria e tij të propozojë planet buxhetore të vitit 2017, që  pritet të sfidojnë kufijtë e deficitit të BE-së, në mënyrë që të financojë shpenzimet shtesë të migrimit si dhe të rindërtojë zonat e goditura nga një tërmet masiv në gusht.

“A mundet një vend si yni…, të përulet ndaj burokracive, rregullave teorike, të shkruara dyshimshëm dhe të cilat kushdo mund t’i interpretojë sipas dëshirës, dhe jo të kujdeset për nevojat e qytetarëve të tij? Është e papranueshme për këdo, qoftë edhe ta mendojë këtë”, u shpreh Renzi.

“Italia po planifikon një paketë 24,5 miliardë euro”, tha dje në mbrëmje vonë ministri i Ekonomisë, Pier Carlo Padoan.

Kjo paketë pritet të shtyjë deficitin e vitit 2017 në 2,4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në vend të 1,8 për qind të miratuar në fillim të këtij viti me Brukselin.

Exit mobile version