Për herë të parë pas dy dekadash, euro ka humbur vlerën e saj dhe vetëm një cent e ndan që të bëhet “një me një” me dollarin.
E kjo po vjen si pasojë e frikës se kriza energjetike në Bashkimin Evropian, mund ta fus Evropën në recesion, transmeton Telegrafi.
Euroja është shkëmbyer me 1.007 dollarë në tregun amerikan sot, që është afro 15 për qind më pak sesa që ishte në fillim të këtij viti.
Kjo rënie e vlerës së euros, po vjen në kohën kur Rusia ka mbyllur gypat e saj të gazit në Nord Stream 1, pasi është goditur nga sanksionet e perëndimit si pasojë e luftës së filluar në Ukrainë.
Në anën tjetër, dollari duket se po rimëkëmbet dhe tani janë rritur investimet në Shtetet e Bashkuara, dhe sipas zyrtarëve të Rezervave Federale ky trend pritet të vazhdojë edhe gjatë muajve të ardhshëm.
Kriza e krijuar energjetike po e shkakton ngadalësimin ekonomik, ku ekspertët janë skeptikë nëse Banka Qendrore Evropiane do të mund të implementojë politikat për të ulur inflacionin, që në Eurozonë për herë të parë nga 2011 po qëndron në 8.6 për qind. /Telegrafi/