Telegrafi

Rënie e sërishme e aksioneve në bursat botërore

Çmimet në gjithë bursat kryesore evropiane ranë midis 7 deri 10 për qind, ndërsa shifrat zyrtare treguan se ekonomia britanike kishte pësuar tkurrje me gjysëm përqind në çerekun e tretë të këtij viti, një rënie më e madhe nga çfarë pritej.

Është tkurrja e parë e këtij lloji në gjashtëmbëdhjetë vjet dhe pasoi paralajmërimet e bëra nga kryeministri britanik, Gordon Braun dhe guvernatori i bankës së Anglisë se Britania po shkonte drejt recesionit.

OPEK ka vendosur të ulë prodhimin me 1,5 milionë fuçi në ditë në përpjekje për të ndaluar rënien e çmimeve të naftës.

Ulja përbën 4,5 për qind të prodhimit të OPEK-ut dhe rreth 2 për qind të prodhimit të përgjithshëm botëror. Ajo do të hyjë në fuqi në nëntor.

Pas një takimi urgjent në Vjenë, OPEK-u tha se ndërmori veprimet pasi furnizimi me naftë ishte përtej kërkesës dhe se çmimet kishin rënë dramatikisht në javët e fundit.