Site icon Telegrafi

Rënie e madhe e eksporteve në Shqipëri, të ardhurat nga tregtia bien 9 për qind në janar-shtator

Tregtia e jashtme e mallrave po tkurret. Të dhënat tregojnë se eksportet shqiptare vijuan rënien edhe në muajin shtator, duke sjellë më pak të ardhura për vendin. Në muajin e nëntë të vitit, eksportet kushtuan 34 miliardë lekë [318 milionë euro], duke u ulur 13 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Thellimi i rënies në shtator, ka përkeqësuar ecurinë për gjithë vitin. Sipas INSTAT, në këtë 9-mujor eksportet e mallrave arritën vlerën 333 miliardë lekë, duke u ulur me 9 për qind krahasuar me një vit më parë.

Treguesit në shtator nuk janë pozitivë dhe bashkë me rënien në muajin gusht, ato reflektojnë në shifra, statistikat e vitit 2020, kur eksportuesit vuajtën më shumë se të gjithë, pasojat e pandemisë.

Të gjithë grupmallrat kanë shënuar tkurrje, me përjashtim të plastikës dhe produkteve kimike, që nuk kanë ndonjë peshë të rëndësishme në ekonomi. Materialet e ndërtimit, metalet, këpucët por dhe ushqimet e makineritë janë mallra që po krijojnë vështirësi në zinxhirin e bizneseve vendase.

Kujtojmë se këta të fundit, prej një viti kanë ngritur shqetësimin për humbjet që iu ka shkaktuar rënia e euros në kursin e këmbimit.

Në muajin gusht, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, janë Italia, Gjermania dhe Spanja. Ndërkohë, vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe janë Kosova, Greqia dhe Kina.

Exit mobile version