Telegrafi

Rënie e investimeve te huaja në Kosovë

Sikurse në shumë vende të botës, kriza ekonomike botërore ka ndikuar në rënien e nivelit të investimeve të huaja edhe në Kosovë. Ndonëse Agjencia kosovare për promovimin e investimeve ka zhvilluar aktivitete të shumta jashtë vendit, niveli i investimeve të huaja gjatë vitit 2009 ka shënuar rënie rreth 25 për qind, apo në shifra absolute prej 45 milionë eurosh, krahasuar me vitin 2008. Udhëheqësi i agjencisë për promovimin e investimeve, Mustafë Hasani, tha për Radio Kosovën (RTK) se shumë investitorë kanë treguar interesim për të investuar në Kosovë, dhe kjo pritet të materializohet gjatë këtij viti.

Ministria e tregtisë dhe Industrisë ka përgatitur edhe strategjinë për investime 2010-2012, që pritet të finalizohet gjatë këtij viti. Ndërkohë, sipas një raporti të Bankës Botërore “Të bësh biznes në vitin 2010” Kosova radhitet në vendin e 113. Hasani thekson se janë duke shqyrtuar të gjitha rekomandimet e Bankës Botërore, dhe gjatë këtij viti, do të fokusohen në promovimin e investimeve në vende konkrete, sektorë potencial dhe në kompani që vlerësohet se mund të investojnë në Kosovë.

Por nënkryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se në Kosovë është përkeqësuar ndjeshëm klima për investime, ndërkaq në rënien e nivelit të investimeve të huaja ka ndikuar edhe moszbatimi i ligjit, niveli i lartë i korrupsionit, niveli i lartë i ekonomisë joformale etj.

Gërxhaliu thotë se zyrtarët e Kosovës duhet të promovojnë vlerat dhe të fokusohen tek diaspora kosovare, të cilët kanë potencial që mund ta investojnë në vendin e tyre.

Ndryshe në tri vitet e fundit, investimet e huaja kanë pësuar rënie të vazhdueshme. Në vitin 2007, kur është futur operatori i dytë i telefonisë mobile në Kosovë, investimet e huaja direkte në vend kanë qenë 421 milionë euro. Në vitin 2008, këto investime kanë qenë 355 milionë, ndërsa në vitin 2009 vetëm 310 milionë euro.