Telegrafi

Rënie e investimeve të huaja në Kosovë

Flamur Keqa, drejtor i Departamentit për Tregti të Jashtme në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës se ekonomia e Kosovës po kalon nëpër një periudhë të vështirë. Ai veçon dy elemente të rëndësishme sa i përket aspektit ekonomik dhe tregtar.

“Kemi marrëveshjen tregtare përkatësisht masat preferenciale të cilat i ka pas Kosova me Bashkimin Evropian dhe e dimë që këto masa nuk janë në fuqi që nga janari i këtij viti. Në anën tjetër i kemi edhe problemet të cilat po na përcjellin prej tre vitesh, sa i përket tregtisë rajonale konkretisht qarkullimin e lirë të mallrave kosovare në tregun e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës”, tha Keqa.

Problemet politike kanë vështirësuar edhe përmbushjen e detyrimeve që ka Kosova ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare.

Muajin e ardhshëm pritet të mbahet takimi i radhës i Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, e njohur si CEFTA, e cila gjatë këtij vitit do të drejtohet nga Kosova. Beogradi i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kërkon që ajo ta drejtojë këtë takim nën logon e Misionit të Kombeve të Bashkuara.

Keqa thotë se CEFTA do të drejtohet nga përfaqësuesit e ligjshëm të Kosovës, por tërheq vëmendjen në atë që ai e quan thelbin e kësaj pune.

“Tregtinë dhe ekonominë e Kosovës e udhëheqin institucionet kosovare dhe janë ata të cilët të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet ekonomia kosovare i paraqesin para strukturave të CEFTA-s dhe punohet në drejtim që këto probleme të evitohen apo edhe të eliminohen në tërësi.”

Viti 2011 shihet si një periudhë e përballjes së Kosovës me vështirësi ekonomike, ndërsa ekspertët e çështjeve të ekonomisë vlerësojnë se nevojiten veprime energjike nga qeveria e re për përballjen e problemeve të shumta.

Raportet e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), flasin për rënie të investimeve të huaja në Kosovë, ndërsa të dhënat e institucioneve vendase e ndërkombëtare, tregojnë se gjendja sociale në vend është duke u përkeqësuar. /Telegrafi/