Adriatik Llalla u emërua prokuror i përgjithshëm më 3 dhjetor 2012, detyrë që e mbajti për 5 vite deri në dhjetor të 2017 kur u zëvendësua pas mbarimit të mandatit nga prokurorja e përgjithshme e përkohshme, Arta Marku.
Si kryeprokuror ai vinte nga një profil eksperience 4-vjeçare në krye të Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe deklarimit të pasurive që heton edhe pasuritë e politikanëve dhe funksionarëve publikë.
Në bazë të parashikimeve ligjore, pas largimit nga Prokuroria e Përgjithshme, Llalla kishte mundësi të vijonte karrierën si gjyqtar apeli por ish-kryeprokurori zgjodhi të japë dorëheqjen nga sistemi duke iu shmangur vetingut, ndërkohë DASH e ka shpallur ‘non grata’, duke i ndaluar atij dhe famijes hyrjen në SHBA.
Kjo sipas të gjitha të dhënave ka ardhur pas përplasjeve të forta me ish-ambasadorin amerikan në Tiranë, Dondal Lu i cili e akuzoi publikisht si të korruptuar dhe se po punonte kundër reformës në drejtësi.
Llalla mbahet mend edhe për deklaratat bombastike për arrestime politikanësh në vjeshtë apo dosje hetimore që mund të ndryshojnë fatet e vendit, por që mbetën vetëm në kuadër të deklaratave. Adriatik Llalla është kryeprokurori i parë shqiptar që dënohet me burg nga organet e reja të drejtësisë./Euronews Albania