Rënia e pjesës lindore të Alepos, e cila kontrollohet nga rebelët, nuk do të thoshte fund i luftës kundër presidentit sirian, Bashar al-Assad, tha për BBC-në George Sabra, negociator i lartë i opozitës siriane.
Forcat siriane, të mbështetura nga sulmet ajrore, kanë rimarrë më shumë se një të tretën e territorit nga rebelët.
Mijëra civilë kanë ikur nga qarqet e rrethuara, pas luftimeve të ashpra në fundjavë.
“Alepo është një vend i rëndësishëm për revolucionin, por nuk është i fundit. Tani për tani, kemi shumë vende nën kontrollin e Ushtrisë së Lirë Siriane (opozitës)”, tha Sabra.
Ai paralajmëroi se fushata ushtarake, e cila po zhvillohet nga Qeveria siriane dhe aleatët e saj, “është duke vrarë një pjesë të procesit politik”, transmeton Rel.
“Askush nuk mund të mendojë për zgjidhje paqësore në këto rrethana”, tha Sabra.