Rëndohet bilanci i viktimave dhe të plagosurve nga sulmet terroriste të ndodhura mbrëmjen e djeshme në aeroportin e Stambollit.
Së paku 41 persona janë vrarë dhe 230 persona të tjerë janë plagosur në sulmet me bomba dhe të shtëna armësh në Aeroportin Ataturk.
Numri i viktimave dhe të plagosurve konfirmohet nga guvernatori i Stambollit sipas të cilit 13 nga viktimat janë shtetas të huaj.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i dënoi sulmet, duke thënë se “civilë të pafajshëm” janë viktima. Ai tha se sulme të tilla “të urryera” mund të ndodhin në çdo aeroport në botë.
“I bëjmë thirrje botës, sidomos vendeve perëndimore, që të marrin qëndrim të fortë kundër terrorizmit”, tha Erdogan.
“Tre kamikazë kanë kryer sulmin”, tha guvernatori i Stambollit, Vasip Sahin.
Policia turke ka shtënë me armë zjarri për të ndaluar sulmuesit në një hyrje të aeroportit, njofton ‘Reuters’. Bëhet e ditur se sulmuesit mund të kenë aktivizuar mjetet shpërthyese në hyrje të terminalit ndërkombëtar.
‘Reuters’ citon dëshmitarë të kenë thënë se persona të armatosur kanë shtënë edhe nga vendparkimi i aeroportit.
Kreu i organizatës humanitare Gjysmëhëna e Kuqe, Kerem Kinik, u bëri thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, duke komentuar ngjarjen në Stamboll, tha se “sfida që na përcjell tërë kohën është lufta kundër terrorizmit”, transmeton gsh.
Charles Michel, kryeministër i Belgjikës, kryeqyteti i së cilës ka qenë objekt i sulmeve në muajin mars, ka shkruar në Twitter:
“Mendjet tona janë me viktimat e sulmeve në aeroportin e Stambollit. E dënojmë fuqishëm këtë akt barbar të dhunës”.
‘Ataturku’ është aeroporti më i madh dhe më i ngarkuar në Turqi. Më shumë se 61 milionë pasagjerë e kanë përdorur atë në vitin 2015.