Site icon Telegrafi

Renditja në Indeksin e Sundimit të Ligjit, Shasha thotë se Kosova ka shënuar progres – shpjegon pse u rangua më poshtë

Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha -Foto: Ridvan Slivova

Projekti i Drejtësisë Botërore, këtë vit ka renditur Kosovën në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit.

Sipas ËJP, Kosova po ashtu ka zënë vendin e dytë në botë për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit gjatë vitit të kaluar.

Teksa Qeveria i prezantoi këto të dhëna me mburrje, opozita e akuzoi për mashtrim të opinionit. Kjo pasi sipas tyre, Kosova sivjet ka dalë në vendin e 57-të, pra më dobët se më 2020 kur ishte e 54-ta.

E lidhur me këtë ka reaguar drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, duke thënë se është e saktë se Kosova ka arritur progresin më të mirë historik në kuadër të Indeksit të Sundimit të Ligjit.

Sipas tij, Kosova asnjëherë nuk është vlerësuar më lartë në kuadër të Indeksit, pasi ka marrë më shumë pikë se në vitet e kaluara.

“Për të parë këtë drejtë duhet referuar “pikëve” që çdo vend merr në kuadër të vlerësimit. Pra Kosova është vlerësuar me: 2020: 0.54 pikë, 2021: 0.55 pikë, 2022: 0.56 pikë”, ka shkruar Shasha në Facebook.

Ai ka dhënë një shpjegim edhe për faktin se Kosova ka thënë poshtë në rangim, në krahasim me vitin 2020.

Pra, bazuar në rangim Kosova del më keq sot se në vitin 2020, por sipas Shashës, ky lexim është i gabueshëm sepse rangimi bëhet mbi bazën e numrit total të vendeve që vlerësohen.

“E në vitin 2020 dhe viti 2022 nuk ka qenë i njëjtë numri i vendeve të cilat janë vlerësuar. Pra baza krahasuese dallon. Në vitin 2020 ka pas në total 128 vende që janë vlerësuar, ndërsa në vitin 2022 ka pasur në total 140 vende që janë vlerësuar. Prandaj për shkak se është rritur numri i vendeve që vlerësohen disa nga këto janë ranguar para Kosovës, e disa mbrapa saj”, ka shkruar tutje ai.

“Pra, në përmbledhje Kosova ka arrit progres më të mirë historik që nga viti 2020 kur Kosova ka filluar të vlerësohet, por për shkak rritjes së numrit të vendeve të cilat vlerësohen referimi ‘rangimit’ nuk tregon pikturën e saktë dhe për të qenë saktë duhet çdo herë t’i referohemi ‘pikëve’”. /Telegrafi/

Exit mobile version