“Nuk është ashtu si duket”, thonë zakonisht dashnorët e zënë në flagrancë. Disa më të mençur, vetëm ulin kokën dhe heshtin, ndërkaq disa përpiqen të “lyejnë sytë me akull” dhe të mbrohen me argumente që nuk i kapërdinë as fëmija. Disa e bëjnë këtë “shfajësim” krejtësisht me rutinë, pa e dridhur as qerpikun! Ky është një lloj shfajësimi gati rutinë. Pra, ku përfshihen dëshira, turpi, frika, egoja, komplekset kolektive e shumëçka tjetër. Kështu, kjo mënyrë shfajësimi, pa e pranuar fajin, praktikohet edhe në shumë fusha të tjera. Qoftë para apo pas martese! Sidomos në politikë, diplomaci, …!
“Asgjë nuk është ashtu si duket”, shkruan edhe në hyrje të agjencisë më të fuqishme të spiunazhit në botë. Pra, ka diçka në këtë deklaratë!
Për dallim prej fushave të tjera, ku mohimi është si të thuash çështje nderi, në politikë dhe diplomaci ky është obligim. Do ta provokosh një diplomat? Thirre me titull të gabuar dhe ai është i obliguar të reagojë. Përndryshe, ai e njeh titullin që i vë!
“Nuk është ashtu si duket”, përsërisin politikanët dhe njëkohësisht përpiqen të mbulohen me cepin “politik” të çarçafit! A është pikërisht ashtu si po duket?
Çka po ndodhë në fakt? Në kohën e mediave masive dhe shoqërisë së spektaklit, asgjë nuk është ashtu si duket. Pra, është formë që ia vlen! Kështu, duke e përsëritur e bën publikun të mos u besojë syve, e madje as përvojës së vet!
A është apo nuk është z. Paviçeviq, ambasador i Republikës së Serbisë në Kosovë?
Është apo nuk është, qytetarët e këtij vendi kanë pritur një fillim dhe një qasje krejt tjetër. Ndoshta që krejt kjo të fillojë me një kërkimfalje dhe një deklaratë rutinë për një “fletë të re” në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Diçka që do të ngjante si normalizim! Por, ndoshta normalizimi as që është qëllimi! Mbase vetëm do të mjaftonte të dukej i tillë… sa për të marrë datën të cilën qeveritarët serbë aq shumë po e duan, por jo edhe… faljen! Ata…nuk po na falin! Ec e mos u mahnit me këtë retorikë spekulative bizantine. Nuk po na falin, prandaj nuk po na njohin! Se ata janë viktimat! Apo ndoshta, ashtu vetëm po na duket?!
Ndërkaq, të hënën vetura zyrtare e “ambasadorit” të Republikës së Serbisë, në Kosovë, ngadalësoi shpejtësinë pranë kontejnerëve ku është vendosur policia serbe, në Merdarë, ku në mënyrë të rregullt tregoi dokumentet e identifikimit dhe u evidencua se po kalonte “andej”. Duke qenë se kjo për përfaqësuesin e Serbisë në Kosovë nuk paraqet dalje në një shtet tjetër, mund të supozojmë se edhe në kufirin e Vojvodinës me Serbinë tashmë janë vendosur marrëdhënie të tilla normale. Nuk është ashtu si duket!
Në pjesën e ”integruar’ të kufirit, ku është e stacionuar Policia kufitare e Kosovës, “ambasadori” i dorëzoi po ashtu dokumentet e identifikimit, pra letërnjoftimin, si të gjithë të tjerët të cilët nga republika e Serbisë kur hyjnë, këndej! Këtë vend që ne e quajmë “këndej” e ata “andej”, e kanë njohur tashmë 100 shtete si një vend sovran me emrin Republika e Kosovës. Por, natyrisht, asgjë nuk është ashtu si duket.
Asgjë nuk është si duket, sugjeron “diplomati” i ri! Ne nuk ju njohim, pra ju nuk ekzistoni! Kot shikoheni në pasqyrë! Ju nuk ekzistoni! Ne nuk ju patëm përzënë jashtë… nuk ju patëm larguar nga puna, shkollat… vetëm dukej ashtu! Ne nuk ju patëm vrarë! Ishte vetëm ëndërr! Frigoriferët me kufoma shqiptarësh, që ishin me shumë se 18, nuk ishin hedhur vërtet në Danub dhe ujëra të tjera të thella nëpër Serbi! Ishte veç një komplot medial ndërkombëtar.
Kështu, përçartja publike e një politike vazhdon në formë të re, nën deklarimet për paqe. Dhe, në këtë formë, mendohet se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë do të normalizohen. Kosova është edhe Serbi, edhe nuk është! Për ata është, për ne nuk është! Për botën herë është, herë nuk është. Edhe nëse është, nuk është!
Nuk e kam ngatërruar unë! E kanë ngatërruar fuqitë të cilat duan që për hir të interesave “më të larta”, të lejojë që Serbia të futet në Evropë pa i pranuar krimet në Kosovë. Pa i pajtuar dy popuj që kanë luftuar mes vete.
Ekzistonte një realitet që synohej të krijohej në Prishtinë dhe në krejt Kosovën. Numri 18, të cilin e përmend zyrtari serb i ndërlidhjes, vret ndërgjegjen e tij qytetare kur kujton kohën kur Prishtina kishte më pak se 18 shqiptarë.
Shqiptarët, para syve të botës po deportoheshin përtej kufirit nën përcjelljen e policisë. Kështu menduan strategët se po mbyllej kjo storje, me një Prishtinë ku banonin ndoshta më pak se 18 shqiptarë. Apo më pak se 180. Apo më pak se 1800, por gjithsesi më pak se 18 për qind! Por, Prishtina asnjëherë, as në momentet e hakmarrjes masive të ushtrisë, policisë dhe “vullnetarëve” serbë, nuk mbeti në më pak se 18 shqiptarë. Shumë prej tyre fshiheshin podrumeve apo nëpër male. E disa, që kishin miq serbë, edhe nëpër shtëpitë e tyre. Kaloi furtuna kështu. Kjo është histori tashmë.
Por, numri 18 vetvetiu nuk është aspak i rëndësishëm sikur të mos e kishte përmendur përfaqësuesi i ri i Serbisë në Kosovë. Ai as një fjalë të vetme nuk e tha për qindra-mijëra shqiptarë të cilët shteti I tij i kishte deportuar jashtë vendit, duke grabitur e djegur pasurinë e tyre, e duke përgatitur terrenin për të sjellë 180 mijë serbë në Prishtinë. Se si, edhe për mua numri 18, me apo pa shumë zero, mori një kuptim tjetër.
Pra, numri 18 nuk është aspak i rëndësishëm në asnjë statistikë të botës, përpos për z. Paviçeviq! Ai deklaron se sot është serbi i 18-të në Prishtinë dhe gjuha e tij nuk jep shpresë se ata që e dërguan nuk ëndërrojnë sërish të përmbysin këtë raport shifrash në një rast më të volitshëm. Sipas kësaj logjike, me të cilën filloi komunikimin e tij ky zotëri “ambasador”, nuk mjafton një ide për kthimin e të gjithë njerëzve në pronat e tyre, serbë dhe shqiptarë, nëse i kanë pasur të ligjshme. Në Prishtinë apo në Mitrovicë. Ata duan të kthehen si kanë qenë dikur, si patronë! Me gjithë shtet!
Kjo është matematika që na e prezantoi z. Paviçeviq në deklaratat e para. Kështu, me deklaratat patetike të z.“ambassador” i cili vetëm duket ashtu, se nuk është i tillë, numri 18 mori kuptim dhe rendësi internacionale.
Ndoshta kjo do të ndikojë që, duke e zbuluar krejtësisht ndershëm kuptimin e numrit 18, bashkësia ndërkombëtare të pranojë veç një normalizim real të marrëdhënieve në mes dy vendeve tona, dhe pastaj bashkërisht të angazhohen që të gjithë njerëzit të kthehen në shtëpitë e veta dhe të gjithë kriminelët të përgjigjen për krimet e tyre – qoftë të luftës apo pas saj! Ashtu qoftë!
Do të ishte mire që kjo vërtetë të ndodhte ashtu, e jo vetëm të dukej!