Nga: Daut Dauti
Në gusht të vitit 1823, Lord Byroni qëndronte në anijen “Hercules”, jo larg bregdetit grek, duke e pritur momentin e ankorimit diku në një port të përshtatshëm. Anija kishte ndihma materiale dhe disa vullnetarë anglezë që vinin ta ndihmonin luftën e grekëve për pavarësi. Ky ishte një organizim i Komitetit Grek (Greek Committee), të formuar në Londër nga filohelenët britanikë. Lord Byroni qëndronte në kontakt me Marko Boçarin, meqë planifikonte t’i bashkëngjitej njësisë së tij. Në fakt, Byroni nuk kishte kujt tjetër t’i bashkëngjitej, pasi shqiptarët ishin nga më të aftit atë kohë, nga ata që luftonin për pavarësinë e Greqisë.
Me 21 gusht, Byroni, ende në “Hercules”, e merr një letër nga Marko Boçari, i cili e falënderonte për ndihmën që po e sillte. Boçari në një fjali në këtë letër theksonte: “Sonte nisem për të luftuar kundër shqiptarëve”.
Dhe, ashtu ndodhi. Marko Boçari u nis për të luftuar kundër shqiptarëve dhe ata e vranë po atë natë. Ky moment që ka prodhuar pasoja të rëndësishme, në historinë e shqiptarëve, është keqinterpretuar për shkak se Boçari konsiderohet hero, kurse vrasësi i tij, Lleshi i Zi, gati është kualifikuar si tradhtar dhe duke u lënë në harresë. Pyetja është: a nuk do të duhej të ishte e kundërta?
Nëse Marko Boçari i ka deklaruar Byronit, madje me mburrje, se po shkonte për të luftuar kundër shqiptarëve, atëherë cila ka qenë ndjenja e përkatësisë së tij etnike? Dhe, pse Boçari e dha jetën për pavarësinë e Greqisë? Grekët nuk e detyruan ta bënte këtë gjë. Pse Boçari nuk doli në anën e forcave shqiptare që u prinin bushatlinjtë, kundër asaj që sot njihet me emrin Revolucioni Grek?
Ne sot nuk do të flitnim për origjinën e Irene Papasit sikur të mos ishte biseda e saj me Bekim Fehmiun. Vetëm edhe në një rast tjetër Papas gjatë jetës së saj ka deklaruar se ka origjinë shqiptare dhe e ka thëne një fjali: “Ndoshta edhe unë jam shqiptare”. Origjinën e saj e përmendë edhe Aristidh Kola. Dhe, kaq. Nuk ka më shumë informata për origjinën e saj.
Origjina nuk është shumë e rëndësishme në rrethanat e sotshme. Faktet flasin se shqiptarët, më saktësisht arvanitasit, nuk e kanë ndje veten të huaj në mesin e grekëve. Nëse e kanë mohuar origjinën, e cila gjë ka ndodhur pa marrë parasysh arsyet, ata kanë përparuar në Greqi.
Por, tendenca jonë, që t’i paraqesim me çdo kusht dhe pa u lodhur, personalitetet e mëdha me origjinë shqiptare që kanë kontribuar në Greqi dhe Serbi, apo edhe diku tjetër në Ballkan, nuk është ndonjë arsye për t’u mburrur. Në fakt, vlen e kundërta. Këto personalitete kanë kontribuar në anën tjetër për shkak se ana e tyre e përkatësisë nuk ka ofruar mjaft arsye për të qëndruar në të. Dhe, kjo gjë nuk duhet të ofrojë rast për mburrje.
E vërtetë që shqiptarët e themeluan dinastinë serbe (Karagjorgjeviqët) dhe shtetin serb, sikur edhe shtetin grek. Por, sa dhe pse është shqiptar dikush, i cili e themelon shtetin serb apo grek, që në esencë ka për qëllim asgjësimin e atij shqiptar? Pse duhet të mburremi ne më këtë dhe pse duhet t’ua përmendim serbëve dhe grekëve këtë gjë? Në fakt, duhet serbët dhe grekët të mburren për shkak se ata kanë treguar aftësi që me njerëz tanë, të kthyer në anën e tyre, t’i plotësojnë nevojat shtetërore dhe kulturore. Interpretimi tjetër thotë se shqiptarët nuk kanë treguar aftësi që këta njerëz t’i mbajnë brenda rrethit të tyre. Kështu është edhe sot. /Telegrafi/
“Lajmi i fundit”: King Kongu ishte shqiptar dhe ka jetuar në Trojë!