Site icon Telegrafi

Rëndësia e dizajnit si karrierë: Frymëzim dhe këshilla nga dizajnerët e suksesshëm në vend

Rëndësia e dizajnit si karrierë, përfitimet dhe sfidat e trendeve të reja në këtë fushë si dhe ndikimi i inteligjencës artificiale – ishin disa prej temave që u shtjelluan të premten në një event që u mbajt në HaPiTe Space.

Folësit e këtij eventi ishin Berin Hasi – themelues i “Zyre Global”, Armend Berisha – drejtor kreativ në “United Pixels” si dhe Nita Qahili – drejtore në “Galeria Qahili” dhe themeluese e “Shigi Studio”.

Tre dizajnerët e suksesshëm në vend ndanë përvojat e tyre me të pranishmit, duke iu dhënë frymëzim dhe këshilla të vlefshme për tregun e punës.

Berin Hasi para të pranishmëve tregoi se në fushën e dizajnit është tash e 15 vite.

Berin Hasi

Këshilla e tij për dizajnerët e rinj ishte që të eksplorojnë sa më shumë deri në momentin kur e kuptojnë se në cilën degë e gjejnë veten më shumë.

“Thelbi i kësaj është që nëse vendos të bëhesh dizajner por nuk e din se si ke me u përcaktu, atëherë është më mirë që prej fillimit me gjetë mënyrën e të menduarit se si ke me hy në fushën e dizajnit”, tha Hasi.

Ndërsa, Armend Berisha tregoi se në “United Pixels” kanë trajtuar me qindra studentë tash e pesë vjet, me qëllim që të njëjtit të punësohen.

Armend Berisha

“Ne mundohemi që të iu japim studentëve aftësi të cilat mund t’i përdorin pastaj në një kompani kreative. Normalisht dizajni grafik që mësohet te ne është komercial. Por sidoqoftë, mendoj se dizajni është degë e artit dhe e ka një pjesë spirituale që mundet secili me e ekzekutu dhe mundet me bë gjëra të mira”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, një dizajner nuk mund të jetë i suksesshëm pa një partner të mirë.

“Në këtë rast, partneri duhet me qenë një biznes. Definitivisht, partnerët e mirë është shumë problem të gjenden. Vetëm një person nuk mundet kurrë që të bëjë diçka të mirë. Është e rëndësishme që partneri (në këtë rast biznesi) ta kuptojë dizajnerin dhe të ia besojë një projekt”, tha ai.

Nita Qahili foli për sfidat e një dizajneri, teksa tha se një prej pjesëve më të vështira është plotësimi i kërkesave të klientëve duke u përshtatur edhe me shijen e dizajnerit.

“Njëra prej sfidave më të mëdha që është me një klient është t’i ke me pasë mundësinë me pa sa larg mundesh me shku dhe me sfidu veten. Sa ka me u përshtatë stili yt me kërkesat e klientëve cdo herë ka me qenë pikëpyetje. Jo çdo herë ka me u përshtatë, por çdo herë mund të gjendet mesi që klienti të ndahet i kënaqur por edhe ti si dizajner për ta prezantuar atë punë”, theksoi Qahili.

HaPiTe Space është themeluar nga Hallakate, Pixels dhe Telegrafi, me qëllim të diskutimit të temave të ndryshme për komunitete të ndryshme. /Telegrafi/

 

Exit mobile version