Klaudia Malaj
Bota është ndarë me thikë, në të pasur dhe në të varfër. Shtresa e mesme sa vjen dhe po zhduket, kjo për shkak të politikave për të cilat nuk kam ndërmend t’i futem analizave.
Por, kurrë nuk mund të harrojmë të gjitha rastet kur kanë qenë fëmijët ata që kanë mbushur mediat me pamjet e tyre të çiltra, me padjallëzinë e tyre, me mos kuptimin e situatës së çfarë po ndodh…
Gjithmonë janë fëmijët ata të cilët të bëjnë të mendosh dy herë. Madje edhe mësimet më të mira i japin fëmijët.
Teknologjia ka evoluar aq shumë saqë në një të ardhme të afërt do të jetë një kërcënim për njerëzimin. Ajo që nuk mund të harrojmë kur mbyllemi në zyrë, apo edhe kur jemi në restorante të shtrenjta është se duhet jetuar jeta dhe duhet qeshur me gjithë forcën e zemrës.
Po të ndalësh, edhe të shohësh këtë foto, sytë vetvetiu të mbushen me lot. Nuk dihet nëse gëzimi apo mallëngjimi, por kjo foto dhe shumë të tjera të publikuara nga pafajësia dhe nga padija e fëmijëve të fusin në mendime.
Vallë është e varfër bota?
Ekonomikisht mbase po, por shpirtërisht kurrë, për aq sa kohë do të ketë këto krijesa të pafajshme që rriten duke patur një shembull. Ose nëse nuk e kanë, ata bëhen shembull për të mëdhenjtë!