Këngëtarja e njohur e muzikës popullore Remzie Osmani mesa duket ka qenë ‘shënjestra’ e radhës e sulmuesve kibernetikë.
Së fundmi, këngëtarja është ndeshur me një ngjarje aspak të këndshme, sa i përket prodhimeve të saj muzikore në YouTube.
Kjo, pasi llogaria e saj e videove në këtë kanal është sulmuar nga disa “hakerë”, gjë e cila ka bërë që këngët dhe klipet e saj të mos jenë të disponueshme për një kohë në YouTube.
Këngëtarja ka bërë një lajmërim në rrjetin social “Facebook”, me ç’rast ka treguar për bllokimin e llogarisë, si dhe ka kërkuar mirëkuptimin e fansave, pasi shumë shpejt pritet të rregullohet edhe ky problem.
Llogaria e këngëtares në YouTube tash e një kohë menaxhohet nga kompania zvicrane “Prominent Network”. /Telegrafi/