Telegrafi

Remitencat shumica për ushqim, e pak për ndërtim

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, për paratë që vijnë nga diaspora dhe që shfrytëzohen vetëm për konsum, thotë se kjo është një dukuri mjaft shqetësuese.

Sipas tij, nuk mjafton që remitencat që vijnë nga diaspora të shfrytëzohen për konsum ditor dhe për ndërtimin e shtëpive familjare. “Oda Ekonomike do t’i promovojë mundësitë për të investuar në ndërmarrje të vogla. Me këto para mund të krijohen vende të reja të punës dhe të përmirësohet bilanci i pagesave në Kosovë”, tha Gërxhaliu.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Ibrahim Hoxha, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një strategji të përbashkët me grupe të interesit së bashku nga diaspora për ta gjetur mënyrën dhe për të krijuar lehtësira për investime të diasporës në Kosovë.

“Shfrytëzimi vetëm për konsum të diasporës, nuk është në të mirë të Kosovës. Tani është koha të kalohet nga faza e mbijetimit në atë të zhvillimit dhe ofrimit të kushteve favorizuese për investitorët potencialë nga Kosova”, tha Hoxha.

Kurse eksperti, Labinot Lekaj, thekson sa do që remitencat janë për konsum, prapëseprapë kanë efekt pozitiv në ekonominë e Kosovës.

Ndryshe, remitencat, përfshirë periudhën janar-maj 2010, kapin shifrën prej 186 milionë eurosh, krahasuar me 183 milionë euro sa ishin në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ose rritje vjetore prej 1.6 për qind. /Epoka e Re/