Telegrafi

Remitencat, shenjë e varfërisë

Ministria e sapoformuar e Diasporës, përveç remitencave, po shqyrton mundësinë e krijimit të një ambienti më të mirë, që mërgimtarët të investojnë në Kosovë.

Përfaqësuesit e kësaj ministrie, në konferencën “Migracioni dhe zhvillimi ekonomik në Republikën e Kosovës”, u zotuan se do të krijojnë një ambient më të mirë, për tërheqjen e investimeve të kosovarëve që jetojnë jashtë vendit.

Zëvendësministri Qerim Bajrami, tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për vendosjen e një bashkëpunimi të ngushtë me të gjithë qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë.

“Diaspora e Kosovës është shumë e lidhur për familjet e tyre dhe vetë Kosovën. Solidariteti i tyre dhe ndihma financiare është shumë e njohur. Shumë familje që jetojnë në Kosovë varen nga ndihma e familjarëve të tyre që punojnë jashtë vendit. Shpresojmë që mërgimtarët, të cilët jetojnë jashtë Kosovës, edhe në të ardhmen të kenë mirëkuptim që ta ndihmojnë vendin e tyre në rrugën drejt zhvillimit demokratik, ekonomik, si dhe për integrim në Bashkimin Evropian”, tha Bajrami.

Në këtë konferencë u publikua dhe një raport i Bankës Botërore, në të cilën vlerësohet se mijëra qytetarë largohen nga Kosova çdo vit. /Telegrafi/