Telegrafi

Remitencat rol dominues në ekonomi

Për shkak të përformancës jo të mirë ekonomike Kosova varet nga remitencat, të cilat vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm në konsumin vendor dhe në zhvillimin ekonomik.

Përfaqësuesja e UNDP-së, Osnat Lubrani, tha se në bazë të studimit, përqindja e remitencave në Bruto Produktin e Brendshëm gjatë vitit 2009 ka qenë 12 për qind apo 422 milionë. Sipas saj rreth 30 për qind e remitencave të sjella në Kosovë gjatë vitit 2009 janë dedikuar për konsumim.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave në dorëheqje, Ahmet Shala, theksoi se remitencat kanë luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e Kosovës. “Të dhënat e fundit zyrtare mbi nivelin e remitencave në Kosovë tregojnë se këto të hyra përmbajnë rreth 15 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të Kosovës apo rreth 500 milionë, të paktën nga shënimet që kemi nga kanalet zyrtare, ndërsa format tjera të ndrihmës që është e vështirë për tu evidencuar mbase mund të jenë më të larta”, tha Shala.

Zëvendësdrejtoresha e Misionit të USAID-it, Azza El-Abd, tha se kontributet e diasporës kosovare kanë luajtur rol kyç në fazat të ndryshme të vendit, që nga mbijetesa deri te stabiliteti. Por sipas saj, tani sfidat janë që të ndihmojmë të largojmë remitencat nga konsumimi dhe gjërat bazike, drejt investimeve dhe krijimit të vendeve të punës dhe hapjen e bizneseve.

Studimi është bazuar në hulumtimin e një mostre prej katër mijë ekonomive familjare, prej të cilave 600 nga komuniteti serb. Hartimin e studimit e ka mbështetur FMN-ja. /Telegrafi/