Qeveria e Kosovës, po bënë përpjekje që një pjesë të remitencave t’i kanalizojë në investime përmes mekanizmave të granteve në bujqësi dhe teknologji informative. Nga shuma e përgjithshme e remitencave prej mbi 600 milionë euro të dërguara në baza vjetore nga diaspora, diku 7-8 për qind e tyre mund të kanalizohen në ekonomi.
Kështu është shprehur ministri i Diasporës, Valon Murati gjatë një interviste dhënë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online. Ai ka theksuar se vitin e ardhshëm pritet që të kenë hapa më konkret dhe më serioz në përpjekje për t’i orientuar remitencat.
“Ne kemi bërë përpjekje dhe jemi duke i shikuar të gjitha mundësitë që të krijojmë projekte që një pjesë të tyre t’i kanalizojmë edhe në investime përmes mekanizmave të ndryshme të skemave të granteve në bujqësi dhe teknologji informative. Jemi krejt në fazat fillestare të përpunimit të ideve dhe koncepteve të projekteve. Vitin e ardhshëm do të fillojmë me pilot-projektet e para”, u shpreh Murati.
Ministri ka folur edhe për bizneset e shqiptarëve në diasporë të cilët shprehin interesim për të investuar në vendlindje.“Ne po bëjmë përpjekje dhe unë si ministër kam bërë përpjekje, jo vetëm në nivelin qendror, por edhe në atë lokal të kemi sa më shumë diversifikim të ofertave për bizneset nga diaspora në mënyrë që ata të kenë mundësi që të vijnë dhe të investojnë në fusha të caktuara të interesit të tyre”, theksoi Murati.
Sa i përket regjistrimit të diasporës, ai thotë se është projekt shumë i rëndësishëm për vendin. Edhe këtë vit, sipas tij, është ripërtërirë fushata, ku edhe do të përmbyllet procesi fizik dhe aktiv i regjistrimit të diasporës.
Nga procesi i fillimit të regjistrimit të diasporës, Murati tregon deri më tani janë regjistruar mbi 250 mijë bashkatdhetarë. /Telegrafi/