Site icon Telegrafi

Religjionet, traditat pagane dhe ateizmi në Kosovë në vitet 1980-1984

Nga: John Hodgson (pjesë nga libri E ardhmja në të kaluarën: Kujtime të Kosovës, faqe 106-109)

Në Zllakuqan familja Pergjoka më ftonte rregullisht në festat e mëdha të krishtera, Pashkët dhe Kërshëndellat, si dhe për Shën Koll më 6 dhjetor, që ishte festa e fisit. Më parë familja kishte festuar Shën Mërinë, por gjyshi i Tomës, duke parë ikonën e Shën Kollit, kishte menduar se ky burrë i fuqishëm me mustaqe mund t’i mbronte më mirë se Shën Mëria, e cila ishte grua, dhe e kishte ndërruar.

Sidomos Kërshëndellat kishin rituale të moçme, besohej qysh prej traditave pagane. Një ditë më parë, pritej një dru në mal. Ky quhej ‘buzmi’, që sillej në shtëpi nga djemtë e familjes. I zoti i shtëpisë pyeste, ‘Me çka po vini?’ dhe djemtë përgjigjeshin: ‘Me shëndet e bereqet, me djem e vajza, me miq e dashamirë, me lopë, me dhen, me dhi, me grunë, me kallamoq e me të gjtha të mirat e Zotit.’ Buzmi futej në shtëpi dhe ndizej.

Lexo po ashtu Kosova nën cipën e sertë të një anglezi

Natën e lindjes së Krishtit, zgjoheshim para agimit dhe dilnim nga shtëpia në errësirën dimërore ‘me ba lamën’, një ceremoni në të cilën djali i madh i shtëpisë (me këtë rast Baca Bardhec) bënte një rreth të madh prej kashte në fushën afër stëpisë, me një kryq kashte në mes, i ndjekur nga djali i vogël i shtëpisë (me këtë rast Toma) i cili mbante në dorë disa fragmente të buzmit të ndezur. Ceremonia mbyllej me nga një gotë raki dhe një të shtënë pushke. Të shtënat e vazhdueshme dëgjoheshin në errësirë prej shtëpive tjera të fshatit, të afërta dhe të largëta.

Në sobë më pyeti një plak: ‘ A janë krejt katolikë në Angli?’

‘Jo’ iu përgjigja, ‘Shumica janë protestantë’.

‘Çka janë ata?’

‘Shki’, u dëgjua një zë tjetër.

Shumica e studentëve në Prishtinë ishin ateistë të betuar. Vërtet, në Zllakuqan flisnin me respekt për priftërinjtë katolikë, si njerëz të ngritur që kishin studjuar, zakonisht në Kroaci, por të rinjtë myslimanë i përbuznin hoxhallarët si injorantë dhe të prapambetur. Për ta, feja islame u ishte imponuar shqiptarëve nga pushtuesi turk dhe ishte besëtytni e kulluar. Mua më tërhiqnin zakonet e vjetra të fesë islame: avdesi më dukej një ceremoni e moçme dhe elegante; po ashtu pleqtë që kryenin namazin bënin një ushtrim të vlefshëm aerobik për trupin. Por, të rinjtë thoshin se krejt këto ishin të tejkaluar nga shkenca, e cila na mëson rregullat e higjienës dhe shëndetit; se hoxhallarët kishin penguar shkollimin e vajzave; se këndoheshin ‘dova’ arabisht pa ditur as vetë se ç’donin të thonin. Unë ngrihesha në mbrojtje të anës shpirtërore të jetës së njeriut, por kot e kisha. Bota ishte ndërtuar sipas parimeve materialiste dhe ata që besonin në Zot cilësoheshin si ‘fanatikë’. Ky ishte ligjërimi i Shqipërisë ateiste.

Lexo po ashtu John Hodgson: Më duket se në çdo gjë që shkruaj ose mendoj, do të ndihet diçka shqipe

Më tërhoqën xhamitë e vogla të fshatrave, me minare të ulëta dhe në dukje të cunguara, ku hoxha hipte vërtet për të kënduar thirrjen në namaz pa ndihmën e asnjë altoparlanti çjerrës. Brenda xhamive ajri ishte i freskët, çdo gjë ishte e qetë dhe e bardhë. Kur u bënim vizitë, zbatheshim në hajat, hapnim derën dhe ndienim butësinë e qilimave shumëngjyrëshe nën këmbët. Xhamitë, qoftë të vogla nëpër fshatrat, apo monumentet e mëdha historike në Prishtinë dhe Prizren, kishin një tipar të përbashkët: brenda tyre nuk kishte qoshe dhe kapela anësore. Ato e krijonin efektin e tyre në çast; brendësia e tyre nën kupolat e larta sikur shpërlahej e tëra menjëherë nën dritën unike të monoteizmit.

Kurse kishat dhe manastiret ortodokse ishin shumë ndryshe. Ato ishin të errëta me skuta të thella dhe të pazbuluara, të nxira prej blozës së qirinjve dhe tymit të temjanit, muret ishin të stolisura me afreske të shenjtorëve shumë prej të cilëve u ishin nxjerrë sytë. Sipas disave, këtë e kishin bërë armiqtë e kishës, por me shumë gjasa gëlqeren e kishin gërvishtur vetë besimtarët, sepse e përdornin pluhurin për të bërë mehlem për shërimin e sëmundjeve të syve.

Feja, në të gjitha rrymat e saj, i përkiste anës pak a shumë të fshehur të jetës ë Kosovë. Ajo kishte mbijetuar e duruar, por e pa inkurajuar, në skajin e shoqërisë. Në Prishtinë, afër Xhamisë së Mbretit, ishte një tyrbe e vogël me varrin e një besimtari të shquar mysliman. Kurrë nuk arrita ta mësoja se kush kishte qenë. Derën e tyrbes unë e gjeja gjithmonë të mbyllur me dry, por njerëzit disi hynin dhe fusnin rregullisht peshqirë që i shtrinin mbi varrin, besoj që të thithnin fuqinë shëruese të shenjtorit. Ishte një traditë e prapambetur, e përçmuar nga të rinjtë përparimtarë dhe ateistë, por zakoni vazhdon deri në ditët tona dhe te rinjtë e brezit të sotëm e kritikojnë në Facebook si shenjë politeizmi.

 

Exit mobile version