Pal Shtufi
“Katër besime të ndryshme, nuk kanë zënë rrugë në zemrën e një populli pagan”, ka thënë Fan Noli për shqiptarët.
Po, ky është fakt i pamohueshëm. Historia dhe e sotmja dëshmojnë që, në shtrirjen e tyre historike, shqiptarët më shumë kanë qenë të lidhur me paganizmin se me besimet monoteiste. Arsyet mund të jenë të ndryshme, por njëra duket që është më e madhja dhe më vendimtarja në ndërrimin e feve të shqiptarëve: shqiptarët asnjëherë në asnjërin religjion nuk kanë qenë të bindur në predikimet dhe “mrekullitë” e ofruara nga predikuesit e kohërave të shkuara.
Dy dekada pas Luftës së Dytë Botërore, pra pasi Evropa u ngop me luftëra dhe gjak dhe pasi Amerika i ofroi shembullin e të jetuarit ndryshe – jo në hasmëri me fqinjët – filloi epoka e humanizmit të vërtetë. Me një fjalë, ra ndikimi i religjioneve dhe brenda viteve 1980-2000 qetësisht shfaqet ateizmi human si bindje, si sjellje dhe si mënyrë e të jetuarit në harmoni me diversitetet shoqërore. Ky ateizëm në Evropën Perëndimore nuk ishte si ai që keqpërdori komunizmi për qëllime të veta indoktrinare, por ishte origjinali: vetëm bindje për mos ekzistimin e zotave dhe model i sjelljes humane në raport me të ndryshmet shoqërore.
Zhvillimi i hovshëm teknik dhe teknologjik në shekullin XXI, e ndihmoi procesin e komunikimit masiv në tërë globin dhe përshpejtoi edhe humanizmin e shoqërive perëndimore. Me këtë rast, edhe zhvillimi i ateizmit si bindje (jo si rrymë, jo si doktrinë, jo si ideologji!) shënoi shifra rekorde. Kështu, edhe bindja ateiste mbi jetën dhe fenomenet, bashkë me zbulimet epokale shkencore, e përshpejtuan të menduarit human deri në masën ku njerëzit i panë religjionet në teprimin e tyre historik.
Shtetet, të cilat e kuptuan se teprimet historike vetëdijshëm (jo dhunshëm) duhet të mënjanohen nga përditshmëria e shoqërive moderne, shënuan rritje ekonomike, humane dhe demokratike. Dhe, shtetet që janë liruar nga teprimet historike – siç është religjioni në këtë rast – sot janë shtetet më të kërkuara për të jetuar në to. Që ta freskojmë mendjen rreth kësaj, t’i kujtojmë shtetet si Finlanda, Danimarka, Suedia, Norvegjia, Britania, Gjermania, Holanda, Belgjika, Zvicra, Japonia, Kanada etj. Sa për dijeni, në këto shtetet ateizmi human ka arritur deri në 60 për qind.
Historikisht, religjionet nuk kanë qenë vetëm të dëmshme dhe shkaktare luftërash. Religjionet kanë vënë bazat e edukimit në lashtësi. Librat e tyre kanë qenë kushtetutat e para të njerëzimi, në të cilat janë shkruar kodet morale dhe të sjelljes njerëzore. Si rezultat, mbi këto shkrime janë themeluar shtetet e para, të cilat kanë përdorur drejtësinë dhe moralin, gjë që i ka bërë njerëzit të dallojnë dukshëm nga epokat paraprake – krejtësisht të egra. Pra, për kohët primitive dhe shumë të egra të njerëzimit, 4200 religjionet kanë qenë prurje humane.
Mendoj që në planetin tokë gjithmonë do të kemi njerëz të cilët do të kenë nevojë të besojnë. Thjesht, nevojë psiko-emotive, pavarësisht arsyes dhe fakteve shkencore. Për shembull, të gjithë e dimë që një ilaç i caktuar, të cilin shkenca e ka zbuluar, shpëton jetën e njeriut. Megjithatë, ka miliona e miliarda njerëz, të cilët sapo të shërohen i falënderohen Zotit për shpëtim. Pastaj, ka njerëz të cilët sapo hasin një mister jete, toke ose kozmosi, ata më lehtë ia hedhin “atributet” ndonjë zoti për atë mister sesa ta lodhin mendjen për të zbërthyer ndonjë gjë. Dihet mirëfilli, jo të gjithë njerëzit e kanë të njëjtë sistemin kognitiv dhe të arsyes, prandaj një pjesë e tyre më parë do të kërkojnë të besojnë në fuqitë sipërore, se t’i rrekën hulumtimit ose gjurmimit të së vërtetës jo të lehtë.
Asgjë e keqe kjo, nëse kategoritë ose shoqëritë e caktuara njerëzore besojnë në zotat që ata i imagjinojnë si të mirëqenë. E keqja bëhet e madhe dhe e padurueshme kur njerëz të tillë fillojnë dhe ua imponojnë dhunshëm fëmijëve të tyre këto besime (kujtojeni si e kemi marrë besimin religjioz kur kemi qenë fëmijë; kujtojeni a kemi pasur alternativë tjetër).
Fëmijët, të cilët që në vegjëli u imponohet besimi, ata, sapo të rritën, do të fillojnë imitimin e modelit të dhunshëm, sepse ata nuk njohin model tjetër pos atë të imponimit.
Ateizmi nuk është doktrinë konkurrente e religjioneve, por as kundër religjioneve. Ateizmi human është shtrirje e domosdoshme e mendësisë dhe arritjeve shkencore të njeriut. Pra, është domosdoshmëri kohe. Është bindje njerëzore e cila i harmonizon kundërtitë e jetës, meqë dihet që ateizmi është produkt i kundërtive dhe i arritjeve shkencore dhe humane.
Ateisti human, duke besuar në njeriun, në vlerat e tij, në dashurinë dhe në mirësitë e tij të pafund, atij nuk i duhet ndërmjetësues qiellor, i cili “do ta këshillonte” si të sillej me njeriun në tokë.