Rektori i Universitetit “Kirili dhe Metodi” (UKM), Nikolla Jankullovski, ka reaguar për deklaratat e profesoreshës Biljana Vankovska, e cila ironizoi me viktimat në aksidentin me autobusin në rrugën Shkup-Tetovë.
Nikolla Jankullovski ka shprehur ngushëllime për tragjedinë në Llaskarcë dhe thekson se dënojnë shprehjen e profesoreshës Biljana Vankovska, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Jam thellë i prekur nga aksidenti tragjik ku vuajtën qytetarët tanë. UKM shpreh ngushëllime për familjarët e të vdekurve. Sidomos për humbjen e katër studentëve tonë”.
“Në lidhje me deklaratat e profesoreshës Biljana Vankovska, për arsye etike ndjej përgjegjësi të distancohem. Si njeri dënoj ashpër çdo deklaratë që aludon në mosdurim dhe jotolerancë dhe krijojn urrejtje njerëzore”, thotë rektori i UKM-së, Jankullovski.
Ai më tej shton se UKM çdo herë e ka mbështetur lirinë dhe të drejtën e profesorëve dhe studentëve për mendim dhe shprehje.
Ndryshe, pas aksidentit profesoresha Vankovska në llogarinë e saj në Facebook publikoi një status, i cili u vlerësua si nxitës për urrejtje. Ajo për tragjedinë me autobusin kujtoi luftën e vitit 2001./Telegrafi/