Site icon Telegrafi

Rektori i UBT-së përfaqësoi Kosovën në Asamblenë e Organizatës Evropiane për Cilësi

Rektori i Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT), prof. dr. Edmond Hajrizi mori pjesë në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës Evropiane për Cilësi, e cila i zhvilloi punimet në Varshavë të Polonisë, duke e përfaqësuar Republikën e Kosovës, në njërën ndër organizatat më të rëndësishme evropiane.

Gjatë fjalimit të mbajtur në samit, rektori Hajrizi theksoi se Republika e Kosovës ka nevojë për krijimin e një infrastrukture moderne të cilësisë, të bazuar në praktikat më të mira evropiane dhe amerikane. Kjo krijon mundësinë e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe ndërlidhjen me kompanitë e mëdha ndërkombëtare, e rrit aftësinë konkurruese si dhe ndihmon në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Në këtë drejtim, tha ai, përmes aktiviteteve të UBT-së, por edhe të asociacionit “Quality Kosova”, të krijuar po për këtë qëllim, po u jepet ndihmesë institucioneve dhe bizneseve e asociacioneve të ndryshme në fushën e cilësisë.

Ai tha se anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat si Organizata Evropiane për Cilësi është shumë i rëndësishëm për t’u ndërlidhur me këtopraktika dhe me institucionet më relevante në vendet e Bashkimit Evropian, por edhe më gjerë.

Rektori i UBT-së tha se duke e përfaqësuar Kosovën në Organizatës Evropiane për Cilësi, institucioni që ai drejton po hap rrugët e bashkëpunimit me organizatat e rëndësishme evropiane dhe po i siguron Kosovës përvojë dhe ekspertizë, në fushën e cilësisë, një lëmi me rëndësi të veçantë në ditët e sotme, për të gjithë qytetarët dhe të gjitha institucionet e shtetit.

Drejtues të Organizatës Evropiane për Cilësi theksuan rëndësinë e përfaqësimit të Kosovës në këtë institucion dhe shprehën interesimin e tyre për ta ndihmuar Republikën e Kosovës, në nismat e ndryshme për sigurimin e cilësisë në të gjitha fushat e jetës.

Kosova është pjesë e Organizatës Evropiane për Cilësi, përmes “Quality Kosova”, e drejtuar nga dr.Edmond Hajrizi, që nga dhjetori i viti 2013, kur është pranuar, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj organizate, mbajtur në Stamboll të Turqisë.

“Quality Kosova” është asociacion që merret me çështjen e kualitetit, standardeve, certifikimeve dhe konfirmimit. Ai promovon cilësinë në Kosovë, në bazë të standardeve evropiane dhe ndërkombëtare, merret me certifikimin e sistemeve e produkteve sipas standardeve ndërkombëtare, si ISO 9001 e të tjerë. /Telegrafi/

Exit mobile version