Site icon Telegrafi

Rektori Gashi priti kampionen Majlinda Kelmendi

Rektori Gashi i përgëzoi kampionët për suksesin e arritur, duke i falënderuar për emocionet e jashtëzakonshme që i dhanë çdo shqiptari, me shpresën se Majlinda dhe Nora, së bashku me trajnerin Kuka të sjellin edhe medalje të tjera.

“Suksesi juaj na shtyn që si shoqëri t’i mbështesim sportistët tanë, të cilët kanë arritur ta pasqyrojnë sportin e Kosovës në mënyrën më të mirë në arenën ndërkombëtare, duke shpresuar se Majlinda i ka hapur dyert për medalje edhe për sportistët e tjerë kosovarë”, tha rektori Gashi. Ai, gjithashtu, theksoi se dëshira e Majlindës, e Norës dhe e trajnerit Kuka për t’i vijuar studimet në Fakultetin e Shkencave Sportive e nderon Universitetin e Prishtinës, i cili do të ofrojë mbështetjen maksimale për kampionët tanë.

Trajneri Kuka e falënderoi rektorin për pritjen e bërë dhe për mundësinë që së bashku me Majlindën dhe Norën t’i vazhdojnë studimet në UP.

Ndërkaq, kampionia Kelmendi e vlerësoi lart pritjen e rektorit Gashi dhe gjithashtu u ndje e ngazëllyer që në fillim të vitit akademik do të ketë mundësinë që të bëhet studente e Fakultetit të Shkencave Sportive të UP-së.

Kjo ngjarje u përcjell me ndarje të mirënjohjeve për kampionët, dhënë nga rektori Gashi dhe nga ish-dekani i Fakultetit të Shkencave Sportive, prof. dr. Ajvaz Berisha. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version