Sot ka filluar viti akademik 2017/2018 në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku më këtë rast rektori i UP-së Marjan Dema ka takuar studentët e rinj të Fakultetit të Edukimit, e të cilëve u ka kërkuar që të bëhen pjesë e ndryshimeve në UP dhe ta kthejnë besimin tek ky universitet.
Rektori Dema, duke iu uruar vit të mbarë studentëve të rinj u shpreh i bindur se pjesë e UP-së janë bërë ata më të mirët.
Ai tha fatmirësisht nuk është më koha e protestave, por siç tha ai sot është edhe më vështirë. Sipas tij, duhet të luftohet me vetveten për të ndryshuar disa veti të Universitetit të Prishtinës.
“Në veçanti unë ndër prioritetet e mia të këtij ndryshimi e kam Fakultetin e Edukimit dhe fatbardhësisht Fakulteti i Edukimit është duke bërë ndryshime. Sepse pa edukim, pa investim në arsim nuk ka ndryshim, ndryshimi nuk vjen nga jashtë, ndryshimin e bëni ju dhe ndryshimin do ta bëjë Universiteti i Prishtinës sikurse e ka bërë deri tash. Prandaj, ju që nga sot, kërkoj prej jush që të filloni të ndryshoni, filloni të ktheni besimin tek ky universitet, ta ktheni besimin te shoqëria jonë, është luhatur ky besim, mirëpo duke u bazuar në cilësitë e juaja, suksesin e juaj në angazhimin e këtij fakulteti unë prapë ju garantoj se do të jemi bashkë me ju gjatë këtij rrugëtimi. Do ta ndryshojmë këtë Kosovë, pa ndryshimin e Universitetit të Prishtinës, nuk ka ndryshim të Kosovës”, tha rektori Dema.
Kurse, Ethem Çeku, dekan i Fakultetit të Edukimit, tha se mbi 3 mijë studentë që konkurruan, diku mbi 78 për qind e tyre kanë pasur sukses të shkëlqyer.
Po ashtu, ai bëri të ditur se në Fakultetin e Edukimit kanë aplikuar më shumë se 3 mijë studentë, por që pjesë e këtij fakulteti janë bërë 250.
Çeku u tha studentëve se janë ndryshimi i të tashmes dhe i të ardhmes së Kosovës.
“Me përfundimin e studimeve dhe me përkushtimin që ju do ta bëni në punë e ardhmja e kombit tonë, e ardhmja e sistemit të arsimit, e ardhmja e Kosovës nuk do të varet dhe nuk do të dridhet për çdo ditë. Ju keni një mision dhe misioni juaj është të përgatitni gjeneratat e reja që ti shërbejnë atdheut dhe kombit. Ne jemi populli më i varfër në Evropë, ne jemi një komb i ndarë në shumë shtete, ne kemi një shtet të cilin dëshirojmë ta zhvillojmë, të ecim përpara dhe të bëjmë progres. Ju jeni ndryshimi i të tashmes dhe i të ardhmes së bashku me institucionet e tjera”, tha ai.
Viti akademik ka filluar edhe në njësitë tjera akademike të Universitetit të Prishtinës, ku për studentët e rinj, të gjitha njësitë akademike kanë organizuar ceremoni të mirëseardhjes me rastin e këtij fillim viti. /KP/