Telegrafi

Rektorët: Nëse nuk shkarkohet bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, vazhdojmë me greva e protesta

Rektorët e universiteteve publike i janë drejtuar sot deputetëve të Komisionit për Arsim, ku kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, për mbylljen e 40 për qind të programeve në këto universitete. Ata deklaruan se vendimin në fjalë e konsiderojnë jo-ligjor.

Andaj, po kërkojnë që deri më 28 janar të shkarkohet bordi i Këshillit, në të kundërtën vazhdojnë me greva dhe protesta.

Rektorët e kanë quajtur arbitrar dhe politik vendimin për mos-akreditimin, dhe tërheqjen e akreditimit për disa programe në universitete.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj tha se UP-së i janë refuzuar 24 programe dhe i janë tërhequr 13 programe të akredituara.

Këto programe ai i ka quajtur substanciale, ndërkohë që vendimin e ka quajtur selektiv.

“Bazuar në udhëzimin administrativ MAShT, 15/2018 për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës mund të konstatohet se KShC ka sjell vendim për tërheqjen e programeve të akredituara pa pas raport të rekomandimit nga vlerësues të jashtëm, nga ekspertë vlerësues ndërkombëtar të fushës së njëjtë të studimit”, tha ai.

E rektori i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, tha se gjatë vitit 2018 MAShT dhe KShC kanë vendosë dy kushte shtesë, ku mes të tjerash kanë kërkuar që në vend të tre profesorëve për një program, duhet t’i jenë katër.

Ndërsa rektori i Universiteti të Pejës, Fadil Millaku, zëvendëskryesues i konferencës së rektorëve, tha se Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka mbyll programet që kanë më së shumti studentë.

“Mendoj që Këshilli Shtetëror i Cilësisë është dashur të ketë raportin ndryshe me universitetet, me lyp dokumente shtesë për secilin profesor që ka pas dyshim që nuk është i profilit. Por, ata nuk kanë komunikuar fare me ne, na kanë injoru dhe kanë marrë vendime që ne na kanë sjellur në këtë situatë”, tha ai.

Në mbledhjen e sotëm me Komisionin për Arsim, Agron Bajraktari, rektor i Universitetit të Ferizajt, tha se mbyllja e universiteteve të reja publike është synim kryesor i ministrit të Arsimit.

“Mbyllja e universiteteve të reja publike nga Ministria e Arsimit, është synimi kryesor nga ardhja në krye e këtij ministri. E ka thënë, ekziston një dokument i shkruar që në Kosovë duhet të ketë dy universitete. U mundua ta bëjë në atë formë, nuk arriti, dhe ka ndërruar formë. Këtu u tha që janë mbyllë rreth 40 për qind e programeve të universiteteve publike por nuk u tha numri i studentëve të atakuar, i cili është 70 për qind”, tha ai.

Këtë deklaratë e kundërshtoi deputetja Albulena Balaj. Ajo tha se ministri asnjëherë nuk ka thënë se duhet të mbyllen universitetet e reja.

Në takimin e sotëm, shqetësim kanë shprehur edhe rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, dhe ushtruesi i detyrës së universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”.

Ndërkohë që deputetët e Komisionit për Arsim, kanë inkurajuar rektorët që të shkojnë përmes rrugëve ligjore.

Gjithashtu, deputetët kanë bërë të ditur që do të takohen edhe me përfaqësues të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. /KP/Telegrafi/