Site icon Telegrafi

Rekord të ardhurash nga turizmi në Shqipëri, 1.55 miliardë euro në gjashtë muajt e parë të vitit

Sektori i turizmit ka sjellë nivel rekord të ardhurash në ekonomi në 6-mujorin e parë të këtij viti.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave tregojnë se, në 6-mujorin e parë të vitit 2023, shpenzimet e të huajve që kanë udhëtuar në Shqipëri arritën në total 1.55 miliardë euro.

Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë pas viteve ’90 dhe reflekton kthimin e Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik këtë vit.

Sipas BSH-së, shpenzimet e të huajve për udhëtime janë rritur me 37% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Referuar të dhënave, në tremujorin e dytë, shpenzimet e të huajve arritën në 930 milionë euro, me rritje prej gati 30% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas INSTAT në periudhën janar-qershor, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 3.396.932. Ky numër është rritur me 33,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. /Telegrafi/

Exit mobile version