Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka nuk ka shijuar ende humbjen që nga transferimi i tij në verë te Bayer Leverkusen.
Xhaka kompletoi kalimin e tij nga Arsenali te Leverkuseni për një shifër prej 15 milionë eurosh.
Megjithatë, ndikimi i mesfushorit nga Kosova ka qenë shumë i madh te klubi i udhëhequr nga Xabi Alonso.
Xhaka nuk di për humbje me klubin gjerman, pasi në 23 ndeshje në të gjitha garat deri tani, ai ka 20 fitore dhe tri barazime, shkruan Telegrafi.
Leverkuseni ka mbyllur sezonin vjeshtor si lider në Bundesliga, duke mbledhur 42 pikë nga 16 ndeshje, ndërsa ka kaluar pa humbje grupin në Ligën e Evropës.
Në Ligën e Evropës, Leverkuseni fitoi gjashtë ndeshjet, duke pasur një golaverazh prej 19 golave të shënuara dhe vetëm tri të pranuara.
Kjo formë e ekipit të Alonsos me Xhakën lider ka bërë që tifozët e “Farmaceutikëve” të ëndërrojnë për trofe. /Telegrafi/